Tirana-Partizani bëjnë paqe në fushën e “patateve” në “Air Albania Stadium”
Tirana dhe Partizani nuk kanë mundur të shkojnë më shumë se një barazim 0-0. Derbi i kryeqytetit i luajtur në “Air Albania Stadium” në fakt do të dhuronte pak emocione dhe raste për shënim, teksa edhe fusha e lojës ishte një pengesë për t’u kapërcyer për lojtarët.
Tirana e nisi më mirë ndeshjen, duke u shfaqur e para në portën e Alban Hoxhës me një goditje të Tolit nga distanca. Partizani krijoi shansin e parë të vërtet të ndeshjes në minutën e 26-të, teksa pas një goditje nga këndi Jurgen Bardhi ka shansin e artë për të shënuar, por do të ndalej nga portieri Bekaj. Të kuqtë marrin kontrollin e lojës teksa tri minuta më pas Solomon dhuron spektakël me një kalim në hyrje të zonës, por goditja e tij devijohet në fund nga mbrojtja e bardhebluve. Të dyja skuadrat më pas do të luftonin më shumë në mesfushë duke shkuar në dhomat e zhveshjes me këtë rezultat.
Në fillimin e fraksionit të dytë, Alban Hoxha rrezikon gjithçka në përpjekje për të larguar topin, teksa Danso për pak sa nuk ia rrëmbeu topin. Në krahun tjetër, Partizani është më i rrezikshëm me Bardhin që vendos në vështirësi mbrojtjen bardheblu, por pas një inkursioni në zonë u ndal mjaft mirë. Për Tiranën Muçi kundërsulmon rrezikshëm, por Torassa nuk arrin që të godasë në momentet e fundit në hyrje të zonës. Në krahun tjetër ekipi i Dajës del mjaft mirë në një aksion të shpejtë me Bardhin, por as Mala dhe as Solomon nuk arritën te topi para portierit Bekaj.
Me kalimin e minutave Tirana fiton më shumë terren, edhe pse në fakt do të humbiste Najdovskin në minutat e fundit për shkak dëmtimi. Në minutën e 90-të Tirana pretendoi për një penallti, pasi Muçi u pengua brenda zonës. Deri në fund rezultati nuk do të ndryshonte, teksa Dede duhet të presë ende për të marrë 3 pikët e para në kampionat, teksa deri më tani ka 3 barazime dhe 1 humbje kundër Vllaznisë. /Rozalb Lika-Koha Jone/