Tirana-Partizani luhet të shtunën në Peqin, stadiumi mban 5 mijë tifozë (Foto)

Peqini do të presë derbin e madh të kryeqytetit. Ndeshja mes Tiranës dhe Partizanit nuk do të luhet të premten dhe as në orën e përcaktuar, por të shtunën në ora 14:00. Për herë të parë ndeshja më e ndjekur e Kategorisë Superiore do të zhvillohet në stadiumin e këtij qyteti, që ka një kapacitet me rreth 5 mijë tifozë. Takimi i parashikuar të luhej të premten në Qemal Stafa, ora 19.00, nuk u realizua në stadiumin kombëtar pasi drejtuesit e këtij të fundit pretenduan ndryshe nga premtimi që kishin dhënë kohë më parë, se tapeti nuk ishte ende gati. Në këto kushte Tirana si pritëse e derbit kërkoi që kjo ndeshje të luhej një ditë tjetër dhe u përcaktua data 12 mars, me qëllim që të mos zhvendosej jashtë kryeqytetit, madje bardheblutë përgëzuan Partizanin që pranoi një propozim të tillë. Por Partizani në orët e mbrëmjes së ditës së mërkurë përmbysi çdo gjë, duke kërkuar që derbi të luhet sipas programit dhe Tirana të gjejë një stadium. Në bazë të rregullores FSHF-ja, mund të ndryshonte datën dhe orarin e ndeshjes, vetëm nëse klubet do të binin dakord mes tyre. Në këto kushte Tirana, duke qenë se nuk gjeti mirëkuptimin e Partizanit, si dhe nuk kishte edhe aq kohë për të gjetur një stadium tjetër, sepse koha ishte e limituar, propozoi që derbi të luhet në Peqin, por të shtunën. Kjo kërkesë është pranuar dhe pritet që FSHF ta miratojë atë zyrtarisht. Stadiumi i kombëtares ku mund të luhej derbi, “Elbasan Arena”,  është në rikonstruksion, ndërsa të shtunën Teuta do të luajë në Durrës me Skënderbeun ndaj edhe derbi nuk mund të luhej as në “Niko Dovana”. Edhe stadiumet e Lushnjës, Krujës, e të Fierit janë të zëna, ndaj një prej alternativave të pakta ishte stadiumi i Peqinit. Pikërisht në këtë stadium, Tirana është e detyruar të presë Partizanin, ndërsa është e kuptueshme se shumë tifozë iu duhet ta ndjekin ndeshjen nga ekrani.    

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi mirë Rama me ndryshimet në qeveri?