Tirana për fitoren e titullit në Laç, Partizani “transferohet” në Fier
Gugash Magani, trajnerin i Tiranës thekson se bardheblutë do të udhëtojnë këtë javë në fushën e kurbinasve, me synimin për të përfituar nga përballja direkte në Korçë midis Skënderbeut dhe Kukësit. Një ndeshje e tillë sjell kujtime jo aq të mira për trajnerin Magani, i cili nën drejtimin e Flamurtarit ka humbur titullin pikërisht në Laç, triumf që shkoi ë favor të Skënderbeut, sezoni 2010-2011. – “Atë sezon titullin nuk e humbëm në Laç, pasi humbëm disa ndeshje radhazi. Kujtoj që në atë ndeshje luajtëm mirë por fati nuk ishte me ne pasi patëm disa raste të mira shënimi,” – theksoi trajneri i Tiranës. Titulli në vitet e fundit është varur shumë nga humori i skuadrës kurbinase, madje është aluduar që bardhezinjtë kanë qenë aleat i Skënderbeut në kampionat. Magani premton se skuadra që ai drejton do të luajë ndershëm dhe pa bërë llogaritë e të tjerëve. – “Nuk mendoj që duhet të bëjmë aleanca, pasi dëshirojmë të luajmë pastër deri në fund. Në të gjithë botën ka aleanca të tilla por ne do të mbështetemi vetëm tek forcat tona. Nuk më intereson se çfarë bëjnë të tjerët nëse presin nga kjo ndeshje por ne jemi të përqendruar në punën tonë,” – shprehet ai. Pas çerekfinaleve të kthimit në Kupën e Shqipërisë, një pjesë e tifozëve të Partizanit kanë kërkuar largimin e trajnerit Shpëtim Duro. Edhe pse në luftën sportive është rivali kryesor për Maganin dhe Tiranën, me të cilin do të përballen një javë më vonë, trajneri bardheblu shpreh solidaritetin e tij me teknikun e të kuqve, duke theksuar me bindje se nuk ka logjikë që një trajner të kërkojë tolerim në një ndeshje të caktuar. -“Unë jam me Duron në këtë rast pasi është pa logjikë që një trajner t'i kërkojë skuadrës tolerim të një ndeshjeje. Unë si trajner që jam por dhe për faktin se e njoh personalisht jam në krah të tij në këtë moment të keq.” Sakaq, Gugash Magani beson se derbi do të jetë ai i zakonshmi, i ndezur dhe sigurisht me polemika. – “Nuk besoj që do të ndikojë një situatë e tillë në derbi. Historia e ka treguar këtë dhe mendoj që derbi do të jetë si zakonisht.” Tirana udhëton në Laç me grupin e plotë në dispozicion teksa sfida do të luhet sot në ora 14:00, pa praninë e tifozëve, pasi fusha e Laçit është e penalizuar prej incidenteve të ndodhura në ndeshjen me Kukësin.
Ndryshimi
Partizani, përfundimisht e pret Teutën në Fier
Partizani për të gjetur një fushë i duhet të ndryshojë sërish stadium. Për ndeshjen e së dielës kundër Teutës fillimisht ishte “Redi Maloku” i Fushë Krujës, stadiumi ku u vendos të luhej ndeshja pritëse e kryeqytetasve, por klubi nuk kishte bërë llogaritë me faktin që të shtunën Iliria vendase do të luante për Kategorinë e Parë, gjë që ishte paralajmëruar dhe nga mediat. Të premten në mbrëmje u vendos që takimi të zhvendosej në stadiumin e Kamzës, zonë në të cilën jeton një komunitet i madh i tifozëve të Partizanit, por policia nuk mori përsipër organizimin e takimit dhe klubi u detyrua ta ndryshonte sërish destinacion. Dhe destinacioni i tretë i zgjedhur është tashmë ai i Fierit, “Loni Papuçiu”. Për shkak të mungesës së një stadiumi në kryeqytet, Partizani dhe Tirana kanë luajtur jashtë kryeqytetit gjatë muajit të fundit. Por “Qemal Stafa” do të jetë gati javën që vjen dhe do të presë në derbi dy ekipet e kryeqytetit.
Kategoria Superiore
Java e 23-të – Të djelën
Partizani-Teuta 14:00
Vllaznia-Apolonia 14:00
Laçi-Tirana 14:00
Elbasani-:-Flamurtari 14:00
Të hënën
Skënderbeu-Kukësi 18:00
Klasifikimi
Tirana 47
Kukësi 47
Skënderbeu 44
Partizani 41
Laçi 35
Flamurtari 31
Vllaznia 23
Teuta 19
Elbasani 12
Apolonia 9
KOHA JONË SONDAZH

