Tirana përmbys Vllazninë dhe afrohet titullit, Partizani ngec ndaj Egnatias
Tirana ka bërë një tjetër hap të madh drejt titullit kampion. Bardheblutë mundën 2-1 Vllazninë, në Shkodër, duke rritur më tej diferencën me ndjekësit. Edhe pse ndeshja nuk nisi mirë për ekipin e drejtuar nga Orges Shehi, reagimi i kryeqytetasve bëri që në fund të merrnin 3 pikët e radhës.
Aralica kaloi në avantazh vendasit që në minutën e 7, ndërkohë që Latifi humbi një 11-metërsh në pjesën e parë, në fundin e së cilës, Ismajlgeci barazoi shifrat. Në pjesën e dytë, Hoti realizoi përmbysjen për bardheblutë, pas një aksioni të ndërtuar bukur nga Seferi dhe Xhixha.
Me këtë rezultat, Tirana vijon kryesimin bindshëm me 56 pikë pas 25 javësh, e ndjekur nga Laçi me 11 pikë më pak, por edhe me një ndeshje më pak. Ndërkohë, Vllaznia renditet në vendin e katërt, me 39 pikë.
Në ndeshjen tjetër të luajtur sot, Partizani me 9 lojtarë barazoi 2-2 ndaj Egnatias. Dy pikë të humbura nga skuadra rrogozhinase, që kaloi dy herë në avantazh me Shytin dhe Shtubinën, por nuk arriti ta ruante epërsinë. I pafalshëm shpërqendrimi i mbrojtjes rrogozhinase në shtesë, duke i dhënë mundësinë Stenio Juniorit të shënonte të dytin.
KOHA JONË SONDAZH

