Tirana shkatërron me poker Laçin dhe blindon kreun, Teuta dhe Kukësi bëjnë paqe

Tirana ka arritur një fitore spektakolare në shifrat 4-1 ndaj Laçin në supersfidën e kësaj jave në Superiore. Redon Xhixha që zhbllokoi rezultatin në minutën e pestë të takimit. Një gabim foshnjarak nga ana e Roganovic u shfrytëzua mjaft mirë nga lojtari i Tiranës duke e çuar topin në rrjetë.

Pak minuta më vonë Najdovski kërceu më shumë nga çdo lojtar tjetër në zonë pas një goditje këndi duke dyfishuar rezultatin për vendasit. Do të ishte sërish një gabim i mbrojtjes së Laçit që do të sillte edhe golin e tretë të Tiranës. Këtë herë gabon Velkoski që e çoi topin në këmbët e lojtarëve të bardhebluve dhe Seferi nga shumë pranë portës realizoi dhe golin e tretë.

Pjesa e parë u mbyll me pokerin e Tiranës që u kompletua sërish nga Redon Xhixha. Në pjesën e dytë, ekipi i Mirel Josës u përpoq të reagonte dhe e gjeti rrugën e rrjetës në minutën e 51. Nga pika e bardhë u vendos Julian Shehu që e çoi topin në krahun e kundërt me portierin duke e ndalur në rrjetë. Tirana shkëputet sërish në gjashtë pikë ndaj Laçit dhe ngjitet në kuotën e 49 pikëve.

Në sfidën tjetër të kësaj dite, Teuta dhe Kukësi u ndalën në një barazim 1-1 në shtëpinë e këtyre të fundit. Teuta realizoi e para me anë të Rubin Hebaj në minutën e 77-të. Gjithsesi vendasit u kundërpërgjigjën në minutat e fundit të takimit me anë të Edi Bashës.

SHKARKO APP