Tirana shumë e fortë për Kukësin, Kastrioti befason Partizanin e Dajës (VIDEO)
Kategoria Superiore ka nisur me surpriza që në start. Kryendeshja e javës që u zhvillua në Korçë mes Tiranës dhe Kukësit përfundoi me fitoren e pastër të kampionëve në fuqi 2-0.
Ishte një start perfekt i skuadrës së Egbo që shënoi dy herë që në 14 minutat e para. Mbrojtësi maqedonas, Najdovski shënoi dy gola të bukur me kokë, duke befasuar mbrojtjen e verilindorëve. Muçi kishte shansin për të shënuar sërish përballë portierit, ndërkohë që Kukësi goditi traversën me Matheus. Në fraksionin e dytë, Cuper shpërdoroi një shans të artë thuajse me portën e boshatisur. Deri në fund rezultati nuk ndryshoi me Tiranën që konfirmohet si skuadra për t’u mundur.
Partizani e ka nisur me një humbje 1-2 sezonin e ri ndaj Kastriotit në Krujë. Në minutën e 20-të, Devid përfitoi nga një gabim i Belicës duke ndëshkuar portierin Hoxha. Në fraksionin e dytë do të vinte reagimi i ekipit të Dajës që shënoi nga pika e bardhë me Jasir Asanin. Gjithsesi vendasit nuk e kishin thënë fjalën e fundit pasi do të shënonin sërish me Rezin 4 minuta nga fundi, duke i shkaktuar skuadrës së Dajës humbjen që në debutim.
Nuk fitoi as Laçi, që mori një barazim 1-1 ndaj Bylisit në transfertë. Hadroj realizoi për ballshiotët në minutën e 36-të, ndërkohë që golashënuesi i sezonit të kaluar, Nwabueze realizoi golin e barazimit nga pika e bardhë në fillimin e pjesës së dytë. /R.Lika-Koha Jone/