Tjetër padrejtësi te “Topi i Artë”, ja përse e meritonte Lewandowski
Franck Ribery u ankua në vitin 2013 se ju vodh çmimi i “Topit të Artë” në vitin 2013, teksa sipas tij Ronaldo dhe Messi janë favorizuar. Që nga viti 2011 kjo dyshe ka pushtuar vendet e para, ndërkohë që vetëm sezonin e kaluar, vendin e parë e zuri Luka Modric. Në atë sezon, francezi kishte fituar Bundesligën, Kupën e Gjermanisë, Champions League, Superkupën e Europës dhe Kupën e Botës për klube. Por në ceremoninë që u zhvillua të hënën në mbrëmje në Paris, duket se është bërë një tjetër padrejtësi. Bëhet fjalë për Robert Lewandowski-n.
Sulmuesi polak nuk e ka parë veten asnjëherë në podiumin e “Topit të Artë”, teksa që nga viti 2015 thuajse i ka takuar gjithmonë Messit, Ronaldos dhe Neymar. Statistikat janë në favorin e tij. Duke filluar që nga 1 janari dhe deri më 27 nëntor kur ishte dita e fundit për të votuar, asnjë futbollistë tjetër nuk ka shënuar më shumë gola se ai dhe asnjë nuk ka qenë më vendimtar. Bomberi i Bayernit ka shënuar 45 gola në 43 ndeshje gjatë kësaj periudhë, duke lënë pas Messin me 40 gola në 43 ndeshje. Nëse ky çmim do të jepej për futbollistin më të mirë, padyshim që duhet të kishte shkuar te Lewandowski.
Për fatin e tij të keq gjëra nuk shkojnë sipas parashikimeve, pasi reputacioni i Messit është shumë më ndryshe. Nga gushti në tetor, polaku ka shënuar në 13 ndeshje radhazi për ekipin gjerman. Në sezonin e fundit shënoi 40 gola në 47 ndeshje, teksa Bayerni fitoi dy trofe. Ronaldo ndërkohë shënoi 28 gola në 43 ndeshje me Juventusin, dhe Messi 51 në 50 ndeshje me blaugranët.
Si Juventusi dhe Barcelona fituan vetëm kampionatet e tyre respektive, duke mos bërë më mirë se bavarezët. Gjatë sezonit të ri Lewandowski ka shënuar 27 gola në 21 ndeshje, pavarësisht se ekipi i tij ka kaluar një mini-krizë me Niko Kovac. Messi ndërkohë ka shënuar 10 gola deri më tani, ndërkohë që Ronaldo ka hasur edhe më shumë vështirësi. /R.Lika-Koha Jone/