Tottenham i Mourinhos shumë i fortë për Shkëndijën, s’mjafton “perla” e Nafiut (VIDEO)

Shkëndija nuk ka mundur që të bëjë mrekullinë përballë Tottenhamin, duke pësuar një humbje 3-1, duke e mbyllur me kokën lart aventurën në Europa League. “Spurs” kaluan në avantazh që në minutën e pestë, kur pas një aksioni pa shumë pretendime, mbrojtësi i majtë Pavic u spostua shumë drejt qendrës dhe la të lirë argjentinasin Lamela, i cili gjuajti saktë dhe dërgoi sferën në rrjetën e portës së Zahov.

Pjesa e parë u mbyll me avantazhin minimal të anglezëve, ndërsa 45-minutëshi i dytë nisi më mirë për Shkëndijën, që përfitoi nga një lloj përgjumjeje e lehtë e miqve. Në minutën e 55-të ishte sulmuesi anësor Valmir Nafiu që pasi u shërbye nga Doriev mbi vijën e 16 metrave, lëshoi një “silurë” me të djathtën dhe dërgoi topin në trekëndëshin e portës së Joe Hart, duke rikthyer baraspeshën.

Jose Mourinho mori menjëherë masat duke hedhur në fushë Lo Celso, Kane dhe Lucas. Megjithatë golin e avantazhit e shënoi njeriu i momentit për londinezët, sulmuesi koreano-jugor Son Huen Ming, i cili përfitoi nga një top i ardhur pas grushtimit të Zahov dhe gjuajti saktë në trekëndëshin e portës së Shkëndijës.

Kur kishin mbetur 10 minuta nga fundi i ndeshjes, sulmuesi anglez Harry Kane u harrua i vetëm në zonë nga kapiteni Bejtullai dhe shënoi edhe golin e tretë pas një krosimi në Son, duke vulosur rezultatin që mbeti i pandryshuar deri në vërshëllimën finale.

SHKARKO APP