Trajneri i Barcelonës flet për Manajn: E mora sepse kam besim se do na ndihmojë! (VIDEO)
Rey Manaj ditën e sotme mori për herë të parë ftesën nga trajneri Setien për të qenë i gatshëm për ndeshjen ndaj Getafes. Strategu i Barcelonës ka thënë fjalët e para për sulmuesin e kombëtares sonë në konferencën e zakonshme për shtyp para ndeshjes.
“Është një futbollist me karakteristika të caktuara. Edhe pse nuk ka shumë kohë këtu, është një futbollist që në momente vendimtare, mund të na ndihmojë, ndaj dhe e grumbullova. Duam që të kemi alternativa në këtë repart, teksa ka futbollistë që mund të na ndihmojnë gjatë ndeshjes. Po punojmë me të rinjtë nga ekipi i dytë, për t’i dhënë mundësinë ekipit të parë që të pushojë”, deklaroi strategu i Barcelonës.
Kujtojmë që sulmuesi lushnjar u transferua nga Albacete te Barcelona B në merkaton e janarit, por dëmtimet e shumta të Suarez dhe Dembele, që kanë mbyllur sezonin, mund të jenë një shans që ai të debutojë edhe në ekipin e parë. /Rozalb Lika-Koha Jone/