Trajneri i Bjellorusisë: Shqipëria luan njëlloj prej kohësh, kemi material për t’i studiuar!

Trajneri i Bjellorusisë, Mikhail Markhel, beson se skuadra e tij mund të ketë gati strategjinë e duhur për t’i marrë pikë Shqipërisë. Në konferencën për shtyp para ndeshjes, strategu i bjellorusëve është shprehur se do të japin maksimumin edhe pse vendi po kalon kushte të vështira.

“Duhej të bënim përshtatje, pasi situata është në të vërtetë e jashtëzakonshme. Ne bëjmë atë që është në dorë të stafit dhe lojtarëve, duke u përshtatur me rekomandimet e UEFA-s. Mendoj se shëndeti vjen para të gjithave. Do të mundohemi të përshtatemi me këto rrethana sa më parë që të jetë e mundur, edhe pse të pazakonta.

E kam theksuar edhe më parë se nuk ka rëndësi çfarë kundërshtari kemi përballë, nuk ka më ndeshje miqësore, për më tepër Liga e Kombeve mund të të shtyjë drejt një turneu madhor. Ndaj ne i cilësojmë ndeshjet e saj si zyrtare e si rrjedhojë përgatitemi për to njëlloj.

Punën e kemi filluar duke studiuar kundërshtarin. Kemi një bazë nga ndeshjet e fundit që ka luajtur. Ekipi kombëtar i Shqipërisë ka luajtur në të njëjtën mënyrë së fundmi, mendoj se do të vazhdojë të bëjë të njëjtën gjë edhe në Minsk. Ndaj kishte material dhe kohë të mjaftueshme për të studiuar kundërshtarin, në bazë të të cilit ndërtuam strategjinë dhe taktikën tonë”, deklaroi Markhel para ndeshjes.

SHKARKO APP