Trajneri i Granada-s: Jemi në një moment historik, ja çfarë më ka bërë përshtypje te Teuta

Teuta do të përballet me spanjollët e Granadës në “Niko Dovana”, në sfidën e vlefshme për turin e dytë eliminator të Europa Leagues. Trajneri i spanjollëve, Diego Martinez doli sot në konferencën e zakonshme për shtyp nga qyteti i Durrësit.

“Kemi vetëm pak kohë që kemi ardhur, por udhëtimi shkoi shumë mirë dhe hoteli e mikpritja kanë qenë shumë të mira. Shpresoj të na shkojë mirë edhe në ndeshjen nesër.

Dimë shumë pak, por kemi mësuar që ka eliminuar një kundërshtar izraelit dhe ka fituar edhe Superkupën së fundi. Me kalimin e kohës kemi bërë një analizë shumë të imtësishme të kundërshtarit dhe kemi parë që po kalon një periudhë mjaft të mirë.

Është një ekip që ka mbrojtje shumë të mirë dhe shfrytëzon shumë mirë lojtarët, por nuk dua të them më shumë detaje. Më ka bërë përshtypje që kanë shumë rezistencë, mbrohen me forca të shumta dhe dinë të dalin shpejt në kundërsulm.

Mentaliteti i ekipit të Granadës është që të përballojnë sfidat të bashkuar, si një skuadër e vërtetë dhe të njëjtën frymë kam vënë re që ka edhe ekipi i Teutës, ndaj do të jetë një ndeshje interesante.

Europa League? Është një moment historik dhe një privilegj për ne të tjerët, duke filluar nga unë. Është si një ëndërr për ne, pjesëmarrja në këtë kompeticion. Është një moment unik për Granadën dhe duam të ecim sa më shumë, ndonëse presim që kundërshtari të jetë goxha i fortë dhe kam parashikuar një ndeshje interesante”, deklaroi Martinez.

SHKARKO APP