Trajneri i Polonisë: As Ronaldinho, as Ronaldo nuk do të pranonin të sakrifikonin si Lewandowski
Trajneri i Kombëtares së Polonisë, Jan Urban, ka vlerësuar maksimalisht profesionalizmin dhe etikën e punës së sulmuesit të Barcelonës, Robert Lewandowski. Sipas tij, edhe legjenda të futbollit botëror si Ronaldinho apo Ronaldo Fenomeni nuk do të ishin në gjendje të mbanin të njëjtin stil jete dhe disiplinë që ndjek ylli polak.
“Lewandowski është profesionist i plotë, shembull për të gjithë. Ronaldinho apo Ronaldo nuk do të pranonin të jetonin si ai. Është edhe çështje edukimi,“ tha Urban për mediat polake.
Strategu i polakëve vazhdoi me elozhet për kapitenin e tij: “Edhe pse nuk e njihja personalisht deri tani, nga afër pashë saktësisht atë që shihja prej vitesh: kërkesë të jashtëzakonshme ndaj vetes, profesionalizëm dhe, mbi të gjitha, atë që bën pothuajse në mënyrë perfekte, shënimin e golave. Ai është lojtar i nivelit më të lartë pikërisht për shkak të asaj që kërkon nga vetja.”
Urban shtoi se mbetet i impresionuar nga mënyra se si Lewandowski stërvitet dhe sillet brenda grupit: “Para se të bëhesha trajner i Polonisë, nuk kisha pasur rast ta takoja apo t’i shtrëngoja dorën. E njihja vetëm nga larg. Kur e pashë në stërvitje dhe ndeshje, ishte saktësisht Roberti që kisha imagjinuar. Është shembull për të gjithë dhe një lojtar me të cilin mund të punosh jashtëzakonisht mirë.”
Sulmuesi i Barcelonës mbetet lider absolut i Polonisë dhe figura më e rëndësishme në projektin e Jan Urban, i cili duket se ka gjetur te Lewandowski modelin ideal për të ndërtuar një skuadër konkurruese.
KOHA JONË SONDAZH

