Trajneri i ri i kuqezinjëve drejt Tiranës
Ka mbërritur në një finish jo shumë të qartë gara për trajnerin e përfaqësueses shqiptare. Dy alternativat e fundit janë në një garë financiare më tepër sesa sportive dhe preferenciale. Përgjigjia e parë me sa duket është ajo e Panucit, në rast të kundërt alternativa B mbetet De Kanio. Panuci ka mbërritur paraditen e së martës në Romë, pasi ndodhej në Majemi, ndërkohë që rreth mbrëmjes mund të mbërrijë në Tiranë.
Por, pavarësisht gjithçkaje që duket e mbyllur Duka frenon sërish, në pritje të përgjigjesh përfundimtare. “Besoj se sot zyra për shtyp do të njoftojë afatin e fundit të zyrtarizimit, apo të përfundimit të këtij procesi”, tha Presidenti i FSHF-së, Armand Duka.
Asnjëherë më parë nuk ka qenë kaq në vështirësi për të vendosur për trajnerin e kombëtares numri 1 i futbollit shqiptar. “Është njësoj si të kesh pesë portierë shumë të mirë dhe nuk di kë të fusësh në portë”, deklaroi Duka.
Ndërkohë, mbledhja e mesditës të së martës ka patur si temë kryesore projektin e ri për krijimin e ligës së futbollit shqiptar. Një kërkesë prej kohësh e 10 klubeve të Superligës.
“Duke u bashkuar këta 10 aktorë besoj që do ta promovojnë më mirë produktin e tyre, do të rrisin cilësinë, të ndajnë mes tyre ato që duhet të ndajnë dhe do të maksimalizojnë të ardhurat nga ky produkt”, tha Presidenti i FSHF-së.
KOHA JONË SONDAZH

