Trajneri i Spanjës: Kujdes Shqipërinë, të bëjnë keq
Luis de la Fuente, trajneri i Spanjës, në një intervistë për La Gazzetta dello Sport, foli për “Euro2024” dhe mbi të gjitha për Grupin B ku bën pjesë edhe “Furia e Kuqe”: “Më duket edicioni me nivelin teknik më të lartë në histori. Nuk mbeti jashtë asnjë, pres një turne pa një favorit të qartë, janë afro 8-10 skuadra që mund të fitojnë. Ky mund të jetë një Evropian historik për futbollin, nga ato turne që shënjojnë një epokë”, u shpreh De la Fuente, duke u ndalur më pas te Grupi B:
“Është grupi më i fortë nga të gjithë, por për të fituar duhet të mposhtësh më të mirët, ne jemi këtu për këtë, për ta provuar. Me Kroacinë dhe me Italinë kemi luajtur në Evropianin e fundit dhe në Ligën e Kombeve. Skuadra e Dalic ka ndryshuar më pak në raport me ne dhe Italinë. Vitet kalojnë për lojtarët kyç, por Kroacia mbetet e njëjtë, ata kanë një ndjeshmëri nacionale të pabesueshme. Është impresionuese se si një vend kaq i vogël të prodhojë kaq shumë lojtarë të një niveli kaq të lartë.
Duhet pasur kujdes edhe Shqipërinë, mbase jo shumë të njohur për publikun në nivele të larta, por janë një skuadër me shumë elementë të vlefshëm. Kanë një trajner që i ka dhënë ekipit një stil dinamik dhe agresiv. Luajnë mirë, do t’i bëjnë keq çdo kujt që do të shpërqendrohet.
Italia? Lojtarë optimal dhe një trajner të shkëlqyer. Italia mbetet gjithnjë një fuqi e futbollit, edhe në momentet jo të mira, mbetën jashtë dy Botëroreve, por në mes fituan Evropian”, u shpreh ndër të tjera trajneri i Spanjës për La Gazzetta dello Sport.