Trajneri i Tiranës: Jemi të rënduar në aspektin psikologjik, do të bëjmë analizë të thellë
Trajneri i Tiranës, Ardian Nuhiu, doli i zhgënjyer para mediave pas humbjes 2-0 ndaj Partizanit në derbin e kryeqytetit. Tekniku bardheblu pranoi se skuadra po vuan nga ana psikologjike dhe se mungesa e qartësisë në fazën sulmuese vazhdon të jetë problemi kryesor.
“Në pjesën e parë shpresova se skuadra do të kërkonte më shumë, por na mungoi kreativiteti për të ndërtuar aksione të rrezikshme. Në të dytën, Partizani nuk na la shumë hapësira,” u shpreh ai.
Nuhiu vlerësoi mbështetjen e tifozëve, duke iu kërkuar ndjesë për zhgënjimin: “Pjesa më pozitive ishin tifozët. Marrim gola të lehtë, edhe pse përpiqem t’i përgatis lojtarët me sa më shumë informacion. Janë gola aksidentalë që na kanë dëmtuar.”
Tekniku i Tiranës foli edhe për problemet fizike dhe ngarkesën e ndeshjeve: “Dëmtimet dhe mbingarkesa po na vështirësojnë shumë. Loja po i lodh lojtarët. Provuam me të gjitha forcat, por gjithsesi nuk ia dolëm.”
Nuhiu paralajmëroi analiza të thelluara dhe ndryshime të mundshme në merkato: “Do të analizojmë gjithçka. Duam të ruajmë grupin, por edhe të shtojmë disa lojtarë. Kemi nevojë për përforcime në sulm dhe mesfushë. Nëse e forcojmë ekipin, kam besim të plotë se do dalim nga kjo situatë.”
Në fund, trajneri bardheblu i bëri thirrje skuadrës të reagojë në ndeshjet e mbetura para pauzës: “Duhet të mobilizohemi në tre ndeshjet e radhës dhe të mos lejojmë që rivalët të shkëputen.”
KOHA JONË SONDAZH

