Tritoli te Duka dhe zgjedhjet në FSHF, Andi Lila thirrje politikës: Tërhiquni sa nuk është vonë
Ish-futbollisti i Kombëtares, Andi Lila ka reaguar mbi situatën e krijuar në prag të zgjedhjeve të FSHF, por edhe për “luftën” Duka Veliaj. Ai është shprehur i tronditur dhe i indinjuar nga sulmi me tritol në shtëpine e Presidentit të FSHF-së, Armand Duka.
Kryetari i Sindikatës së Futbollistëve Shqiptarë, në një reagim në facebook, thekson se FSHF-ja ndodhet në një trysni të tmerrshme me presione, dhe për të vijnë nga eksponentë politikë në të gjithë vendin.
“Kjo bëhet për të manipuluar procesin e zgjedhjeve në Shoqatat Rajonale të Futbollit me qëllimin final për të ndryshuar vullnetin e zgjedhësve në Asamblenë e Përgjithshme të FSHF-së”.
Postimi i plotë në facebook
Shumë i tronditur dhe i indinjuar me sulmin me tritol në shtëpinë e Presidentit të FSHF-së, Armand Duka. Në këtë moment të vështirë për familjen Duka, unë dhe Sindikata e Futbollistëve Profesionistë dua t’i shprehim të gjithë mbështetjen tonë dhe të urojmë që ta kalojë sa më shpejt këtë traumë të rëndë.
Në kulmin e një konflikti të ngarkuar politikisht, që po shkon përtej çdo limiti, vjen edhe ky incident i rëndë. Për fat të mirë nuk pati viktima në njerëz, por kjo ngjarje ka goditur rëndë psikologjikisht komunitetin e futbollit shqiptar.
Ky komunitet ndodhet në një trysni të tmerrshme me presione nga më të ulëta që vijnë nga eksponentë politikë në të gjithë vendin. Dhe e gjitha kjo bëhet për të manipuluar procesin e zgjedhjeve në Shoqatat Rajonale të Futbollit me qëllimin final për të ndryshuar vullnetin e zgjedhësve në Asamblenë e Përgjithshme të FSHF-së.
Një sulm i paprecedentë që duhet ndalur sa më parë pasi rrezikon ta dëmtojë rëndë Shqipërinë dhe organizimin e finales së UEFA Conference League në Tiranë më 25 Maj.
U bëj thirrje të gjithë aktorëve politikë që të tërhiqen sa nuk është vonë pasi këto veprime të papërgjegjshme për të ndërhyrë në mënyrë flagrante në çështje që i takojnë komunitetit të futbollit mund të kenë pasoja të rënda për Shqipërinë deri në përjashtimin nga FIFA dhe UEFA.