Tronditet Barcelona, një futbollist del pozitiv ndaj Covid-19 para sfidës me Bayernin
Me një komunikim zyrtar skuadra e Barcelonës ka zbuluar se pas testimeve të kryera në një grup prej 9 futbollistëve që kishin filluar përgatitjet parasezonale, njëri prej tyre ka dalë pozitiv. Ai nuk do të udhëtojë me skuadrën në Lisbonë për fazën finale të Champions League.
Futbollisti, emri i të cilit nuk është zbuluar, është asimptomatik dhe pa probleme shëndetësore. Bëhet fjalë për të rinjtë e ardhur nga skuadra e dytë: Pedri, Trincão, Matheus Fernandes, Todibo, Wagué, Alena, Rafinha, Miranda dhe Oriol Busquets.
Futbollisti që është testuar pozitiv nuk ka qenë në kontakt me anëtarët e ekipit të parë, që do të udhëtojnë drejt Lisbonës të enjten për t’u përballur me Bayern Munich. Pas mbërritjes në stërvitje, lojtarët duhej t’i nënshtroheshin një testi tjetër PCR për të përjashtuar pozitivët e mundshëm.