Trukime ndeshjesh edhe në tenis, tronditet Roland Garrros
Një nga turnetë më të rëndësishëm dhe më të famshëm në botë është Grand Slami, Roland Garros, turneu që luhet në Francë çdo vit.
Këtë të Premte, organizatorët u tronditën kur policia arrestoi një teniste brenda në impiantet e eventit madhor.
Siç bëhet e ditur, në pranga ka përfunduar, Yana Sizikova, numri 101 në renditjen për femra.
Ajo u pranos dhe po mbahet në burg për akuzën e trukimit të ndeshjeve pas një hetimi që policia franceze po e kryente që prej tetorit të kaluar.
26-vjeçarja nga Moska u arrestua të Enjten në mbrëmje menjëherë pas ndeshjes në lojën dyshe të raundit të parë midis saj dhe partneres Ekaterina Alexandrova kundër australianeve Ajla Tomljanovic dhe Storm Sanders, takim që e humbën 6-1, 6-1.
Sipas gazetës “Le Parisien”, rojet e sigurisë së turneut u përpoqën të parandalonin arrestimin, i cili u bë ndërsa Sizikova po largohej nga seanca e saj e masazhit.
Lojtarja u dërgua më pas në ambientet e Shërbimit Qendror për Gara dhe Lojëra të policisë gjyqësore.
Gazeta gjermane “Die Welt” shkruan se rusja u përfshi në një hetim të hapur tetorin e kaluar nga zyra e prokurorit të Parisit për “mashtrim midis bandave të organizuara” dhe “korrupsion aktiv dhe pasiv të sportit.
Lidhur me ndeshjet që ajo ka trukuar do të ketë në ditët në vijim një qartësim nga autoritetet teksa tashmë karriera e ruses është kompromentuar dhe krahas pezullimit që do të jetë i gjatë, ajo rrezikon edhe burgimin.