Tuchel i druhet temperaturave të larta në SHBA, ka gati një plan
Thomas Tuchel ka nisur të përgatisë strategjinë e tij për temperaturat e larta që priten të shoqërojnë Kupën e Botës në Shtetet e Bashkuara. Trajneri gjerman po konsideron masa të pazakonta për të mbrojtur ekipin nga lodhja, përfshirë edhe qëndrimin e lojtarëve rezervë në dhomat e zhveshjes në vend të pankinës.
“Kjo nuk është zgjidhja ideale, sepse dua që të gjithë të jenë pjesë e atmosferës së ndeshjes dhe të transmetojnë energji nga pankina,” u shpreh Tuchel. “Por nëse kjo ndihmon që lojtarët të futen më të freskët në fushë, do ta marrim parasysh.
E kam parë të përdoret edhe në Kupën e Botës për Klube. Shpresoj gjithsesi ta shmangim, gjithmonë është më mirë kur ekipi është i bashkuar jashtë.”
Në të njëjtën kohë, vazhdojnë spekulimet për listën përfundimtare të futbollistëve që Tuchel do të marrë në Botëror. Debate të shumta janë ndezur rreth Jude Bellingham, pas sjelljes së mesfushorit anglez në ndeshjen ndaj Shqipërisë, ku reagoi me pakënaqësi pas zëvendësimit nga Morgan Rogers.
“Ai reagim nuk ishte i duhuri,” tha Tuchel, duke theksuar rëndësinë e frymës së grupit.
“Gjithçka që kemi ndërtuar bazohet te uniteti. Do ta rishikoj episodin, por në ato momente isha i përqendruar te goli dhe te festa e skuadrës. Nuk është imazhi që duam të përcjellim. Të gjithë duhet të jenë gati të pranojnë vendime të vështira, si para ashtu edhe gjatë ndeshjes.”
Me sfidat klimatike dhe dilemat e brendshme të ekipit, përgatitjet e Anglisë për Botërorin 2026 po hyjnë në një fazë vendimtare.
KOHA JONË SONDAZH

