Tuchel: Neymar dhe Mbappe janë fantastik bashkë, ja pika e fortë e Leipzig!

Trajneri i PSG-së, Thomas Tuchel është shfaqur shumë optimistë në prag të gjysmëfinales kundër Leipzig. Strategu gjerman e di mjaft mirë se nuk do të jetë aspak e lehtë ndaj një rivali që eliminoi Atalantën e Gasperinit në çerekfinale.

“Nuk po mendojmë për historinë, por për të jetuar momentin. Meritojmë që të jemi këtu, në gjysmëfinale, sepse kemi luajtur një Champions të jashtëzakonshëm. Kemi punuar shumë për të arritur këto rezultate. Jemi të qetë dhe të lumtur, kam parë përqendrim dhe kualitet të futbollistët, jemi gati për të mos t’u ndalur. Për këtë gjë do të luftojmë”.

Tuchel më pas ndalet edhe te kundërshtari: “Ndryshe nga Atalanta, Leipzig luan më pak lojën një kundër një, por në të njëjtën kohë është shumë agresive dhe mbron duke sulmuar përpara, me kurajo dhe lojë sulmuese. Kanë futbollistë të rinj dhe të shpejtë, do të jetë një ndeshje shumë fizike, por jemi të përgatitur.

Neymar dhe Mbappe? Janë futbollistë që bëjnë gjithmonë diferencën. Neymar është më i fortë në lojën një kundër një dhe jep asist si asnjë tjetër. Kylian ka shpejtësi, tempizëm dhe aftësi në fazën e shënimit. Së bashku janë të jashtëzakonshëm”, sqaroi trajneri i PSG-së në intervistën e zakonshme para ndeshjes. /R.Lika-Koha Jone/

SHKARKO APP