U-19/ Shkëlqejnë kuqezinjtë, fiton testin e parë miqësor ndaj Malit të Zi!

Shqipëria U-19 ka fituar ndeshjen e parë me rezultatin 3-1 me Malin e Zi U-19, e zhvilluar këtë të premte në Podgoricë. Kuqezinjtë e nisën shumë mirë lojën, duke krijuar që në minutat e para rrezik në portën kundërshtare dhe duke kontrolluar mirë topin. Që në minutën e pestë të takimit, Kristian Dervishi kroson nga e djathta një top brenda zonës për Eljo Toçin, i cili godet me kokë por topi përfundon mbi kuadrat. Pak minuta më vonë, është Paulo Pjeshka ai i cili merr përsipër të gjuajë një goditje dënimi, por topi përfundon në duart e portierit kundërshtar. Kuqezinjtë krijojnë edhe disa raste të tjera, duke tentuar të gjejnë golin e avantazhit, por pjesa e parë mbyllet me rrjeta të paprekura.

Në fraksionin e dytë të lojës, trajneri Cungu bën disa zëvendësime, duke i dhënë mundësinë 8 lojtarëve të tjerë të futen dhe të tregojnë vlerat e tyre në fushë. Edhe në këtë gjysmë të dytë të lojës, Kombëtarja shqiptare luan mirë dhe arrin të kontrollojë lojën. Rezultati do të zhbllokohej vetëm në minutën e 58-të, pasi Bilario Azizi jep një top të gjatë nga mbrojtja për Eljo Toçin , sulmuesin e Fiorentinës, i cili e merr mjaft mirë, duke e dërguar topin në rrjetë. 3 minuta më vonë, Eljo Toçi gjen sërish golin, pas një asisti të dhënë bukur nga Dejvid Janaqi. Kuqezinjtë në avantazh të dyfishtë në brenda pak minutash, ndërsa për të trefishuar shifrat do të mendonte Cristian Shpendi, i cili shënon një super gol nga jashtë zone në minutën e 77-të, pas një gabimi të mbrojtjes kundërshtare.

Në kohën shtesë, gjyqtari akordon një penallti në favor të malazezëve, të cilët e shndërrojnë në gol. Ndeshja mbyllet kështu me rezultatin përfundimtar 1-3, me kuqezinjtë që zhvillojnë një ndeshje mjaft të bukur dhe të mirë. Në fund të takimit, trajneri Armando Cungu u shpreh i kënaqur me lojën e skuadrës së tij. Pas katër ditësh, Shqipëria U-19 do të luajë një tjetër miqësore po ndaj Malit të Zi, me takimin që do të zhvillohet në po të njëjtin vend dhe ku tekniku shqiptar do të ketë mundësinë të shikojë edhe njëherë të gjithë lojtarët e tjerë e thirrur në këtë grumbullim. Këto dy miqësore do t’i shërbejnë trajnerit Cungu për të kolauduar grupin përfundimtar në kuadër të ndeshjeve kualifikuese të Kampionatit Europian 2022 që do të luhen në Shqipëri në datat 10, 13 dhe 16 nëntor dhe ku kuqezinjtë janë shortuar në grupin 7 së bashku me Francën, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut.

 

SHKARKO APP