U dënua me 8 ndeshje pa tifozë, drejtuesit e Flamurtarit bojkotojnë ndeshjen në Shkodër
Drejtuesit e Flamurtarit kanë vendosur të bojkotojnë në mënyrë simbolike ndeshjen kundër Vllaznisë, e vlefshme për kampionatin, e cila do të luhet të enjten në orën 16:30 në stadiumin “Loro Boriçi”. Vendimi vjen si reagim ndaj dënimit të fushës së Flamurtarit me 8 ndeshje pa tifozë, pas vendimit të Komisionit të Disiplinës pranë FSHF-së.
Presidenti i klubit vlonjat, Sinan Idrizi, së bashku me drejtues të tjerë, ka bërë të ditur se nuk do të udhëtojnë drejt Shkodrës për këtë takim. Në shenjë proteste, edhe tifozët e Flamurtarit nuk do të jenë të pranishëm në stadium.
“Në shenjë reagimi ndaj vendimit të Disiplinës në FSHF, asnjë zyrtar i Flamurtarit nuk do të udhëtojë drejt Shkodrës. Nuk ishte një vendim aspak i drejtë që për një incident të dënohet një qytet i tërë”, është shprehur Idrizi.
Ai theksoi se klubi nuk ka ndërmend të bojkotojë kampionatin, por protesta do të jetë e kufizuar vetëm në nivel drejtuesish dhe aktivitetesh zyrtare të FSHF-së.
“Flamurtari nuk do të bojkotojë kampionatin, por ne si zyrtarë do të bojkotojmë çdo aktivitet të FSHF-së. I vetmi që do të udhëtojë me skuadrën është sekretari i klubit, Alfred Ferko”, përfundoi presidenti i Flamurtarit.
Vendimi ka shtuar tensionet mes klubit vlonjat dhe institucioneve drejtuese të futbollit shqiptar, ndërsa pritet të shihet nëse do të ketë reagime të mëtejshme në ditët në vijim.
KOHA JONË SONDAZH

