UEFA mblidhet në Tiranë, Komiteti “HatTrick” shqyrton projektet e futbollit europian

Komiteti “HatTrick” i UEFA-s, që drejtohet nga Zv.Presidenti i UEFA-s, Karl-Erik Nilsson, është mbledhur sot për herë të parë në Shqipëri. Një event historik që i është besuar Federatës Shqiptare të Futbollit për ta organizuar e që njëkohësisht është një mbështetje për FSHF-në si një partner i besueshëm dhe i aftë të presë aktivitete të nivelit më të lartë ndërkombëtar. Ky Komitet ka në përbërje të tij emra të njohur të administrimit të futbollit europian, ndërsa Presidenti i FSHF-së, Armand Duka është një nga zv.kryetarët e “HatTrick”.

E ftuar në këtë mbledhje ishte edhe Ministrja e Arsimit Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi, e cila në fjalën e shkurtër përshëndetëse të mbajtur para të pranishmëve, shprehu kënaqësinë që ky komitet kaq i rëndësishëm i UEFA-s mblidhet për herë të parë në Shqipëri dhe vlerësoi kontributin që qeveria e futbollit europian po jep në bashkëpunim edhe më FSHF-në për futbollin shqiptar.

Znj. Kushi theksoi se sporti është një familje e madhe ku dominon solidariteti, ndihma për njëri-tjetrin, mbështetja përsa sa i takon bashkëpunimit me Federatën Shqiptare të Futbollit dhe qeverisë shqiptare. Më tej, gjatë mbledhjes u shqyrtuan projektet “HatTrick” të paraqitura në Komitet për aprovim, si edhe u bë një bilanc i punës së bërë deri më tani përmes implementimit të investimeve. Gjithashtu, u diskutua edhe për çështje të ndryshme dhe për Akademinë e UEFA-s.

Anëtarët e Komitetit HatTrick të UEFA-s mbërritën të mërkurën në Tiranë në kuadër të mbledhjes së radhës. Fillimisht, delegacioni i UEFA-s, i kryesuar nga kryetari i Komitetit HatTrick, Karl-Erik Nilsson, i cili është njëkohësisht edhe Zv.President i UEFA-s, kanë vizituar ambientet e Shtëpisë së Futbollit dhe janë njohur me investimet që FSHF ka bërë në këtë kompleks. Në ambientet e Shtëpisë së Futbollit, ku do të zhvillohet edhe mbledhja e këtij Komiteti, anëtarët e HatTrick kanë inauguruar muzeun e futbollit, duke u njohur me një pjesëz të historisë së futbollit shqiptar.

Më tej, delegacioni u spostua në stadiumin “Air Albania”, vepra më e madhe infrastrukturore e ndërtuar në vendin tonë edhe me kontributin financiar të “HatTrick”. Siç është edhe traditë në mbledhjet apo takimet e UEFA-s, anëtarët e Komitetit zhvilluan edhe një ndeshje futbolli ku nuk munguan golat dhe momentet e gëzuara.

Pas aktivitetit në stadium, i gjithë delegacioni u drejtua për në darkën zyrtare, ku Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, duke falënderuar të gjithë pjesëmarrësit e këtij takimi në Tiranë dhe duke e konsideruar si një event historik dhe vlerësim për futbollin shqiptar organizimin e një takimi kaq të rëndësishëm në Tiranë, shprehu bindjen se do të merren vendimet e duhura në të mirë të futbollit europian.

“Ky aktivitet për mua është historik sepse vjen pas një kohe të vështirë pandemie dhe kemi bërë shumë takime online dhe më në fund sot takohemi për herë të parë, pas një periudhe thuajse dy vjeçare fizikisht dhe uroj që kjo periudhë e vështirë Covid-i të ketë kaluar. Besoj që ju do ta kujtoni që pas kësaj periudhe të vështirë, jemi takuar në Tiranë dhe kështu do ta kujtoni edhe më shumë Tiranën apo Shqipërinë. Duke qenë vërtetë një vlerësim për futbollin shqiptar, unë do të doja të falënderoja në emër të Federatës Shqiptare të Futbollit, Kryetarin e Komitetit HatTrick, z. Karl-Erik Nilsson dhe administratën e UEFA-s që bënë të mundur organizimin e këtij eventi të rëndësishëm në Tiranë. Gjithmonë HatTrick -u, si një nga Komitetet më të rëndësishme të UEFA-s, merr vendime të rëndësishme. Unë jam shumë i bindur që me debatet e diskutimet në mbledhje, ne do të marrim vendimet e duhura që do t’i shërbejnë projekteve të zhvillimit të futbollit europian” – u shpreh Duka.

Edhe kryetari i Komitetit HatTrick, Karl-Erik Nilsson, pas vizitës në ambientet e reja të Shtëpisë së Futbollit dhe stadiumit Kombëtar “Air Albania” u shpreh mjaft i kënaqur nga pritja e ngrohtë në Tiranë, teksa falënderoi presidentin Duka dhe administratën e FSHF-së dhe UEFA-s për organizimin e këtij takimit. Ai foli edhe për mbledhjen e “HatTrick”, ku theksoi se vendimet që do të merren do të jenë për zhvillimin e futbollit europian. “Më vjen shumë mirë që ju shoh sërish. U bë kohë e gjatë që nga takimi i fundit fizikisht dhe kemi kohë që e kemi planifikuar këtë takim në Tiranë, por më në fund jemi këtu dhe të falënderoj për mikpritjen Armand. Ju falënderoj shumë për mikpritjen e ngrohtë sot në Tiranë. Ishte bukur të shihje ambientet tuaja të reja të Federatës dhe mundësitë e shkëlqyera për të zhvilluar futbollin përmes këtyre lehtësirave fantastike dhe do të bëhet më mirë kur të mbarojnë edhe dy fushat. Dhe pastaj shkuam në stadium, një stadium i bukur, që i mbushur plot, imagjinoj një atmosferë të plotë. Sa i përket HatTrick -ut është një Komitet i rëndësishëm, ku i japim mundësinë të 55 federatave anëtare të përfitojnë nga projektet dhe është vërtetë një privilegj të punosh me këtë Komitet dhe dua të falënderoj edhe administratën e UEFA-s për organizimin e këtyre takimeve. Në mbledhje do të merren vendime që sigurisht do të jenë në të mirë të futbollit, për zhvillimin e futbollit. Do të doja të falënderoja edhe administratën e FSHF-së për organizimin e këtij takimi”, – përfundoi z. Nilsson.

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, mban pozicionin e Zëvendës-Kryetarit të Komitetit HatTrick ku është zgjedhur që në vitin 2017, së bashku edhe me Leo Windtner, George Koumas, Michail Kassabov dhe Tomas Danilevicius, ndërsa anëtarë të këtij komiteti janë Agim Ademi (President i FFK-së), Tom Borgions, Mette Christiansen, Donel Conway, Niccolơ Donna, Peter Frymuth, Sylvain Grimault, Neil Jardine, Kaarlo Kankkunen, Jozef Kliment, Vadym Kostiuchenko, Miroslaw Malinowski, Armen Melikbekyan, Maxim Mitrofanov, Filip Popovski, Teresa Romao, Jovan Surbatovic, Amirzhan Tussupbekov, Márton Vági, Yury Verheichyk, Cengiz Zülfikaroğlu dhe Kurt Zuppinger. I ftuar nderi në këtë mbledhje ishte edhe Presidenti i Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut, Muamed Sejdini.

Në 17 vite të programit HatTrick, UEFA ka financuar në më shumë se 1500 projekte me një vlerë të madhe financiare prej 3 miliardë eurosh, duke e kthyer HatTrick në programin më të madh për zhvillimin e futbollit dhe solidaritetin.

SHKARKO APP