UEFA PRO/ Nga Zabaleta, Dallku dhe Memushaj, të diplomuarit vlerësojnë kursin e FSHF
Pas një rrugëtimi të gjatë, edicioni i nëntë i kursit të licencimit për trajnerë të nivelit “UEFA Pro”, uli dje siparin me ceremoninë e diplomimit, ku 21 kursantë morën diplomën. Disa prej tyre, pas përfundimit të ceremonisë folën për “fshf.org”. Zëvendës-trajneri i Kombëtares, Pablo Zabaleta, theksoi se ishte një eksperiencë fantastike dhe vlerësoi FSHF-në për mirëorganizimin e kursit dhe progresin e arritur përgjatë viteve.
“Ka qenë e vështirë dhe një periudhë e gjatë, 1 vit e disa muaj. Kemi ndarë shumë eksperienca me pjesëmarrësit e kursit, të cilët vijnë nga vende të ndryshme, kanë luajtur në shtete të ndryshme dhe pikërisht kjo është e mira e kursit të trajningut, pasi ke mundësinë të ribashkohesh me njerëz që ndajnë me ty eksperiencën e të trajnuarit në shtete të ndryshme. Kursi ishte shumë i mirë, intensiv. Të gjithë lektorët kanë qenë shumë të mirë.
Dua të uroj Federatën e Futbollit për gjithë punën e bërë dhe progresin e arritur përgjatë viteve. Në këto 2 vite që punoj këtu, mund të shoh si janë përmirësuar gjërat në mënyrë masive: kurset e trajningut, infrastruktura, çdo gjë ka qenë shumë impresionuese” – tha Pablo Zabaleta.
Kursin për trajnerë të nivelit “UEFA Pro” e përfunduan me sukses edhe ish-futbollistë të Kombëtares shqiptare. Armend Dallku falënderoi Federatën e Futbollit dhe Presidentin Duka për mundësinë e dhënë. Ai shtoi se shpreson që kursantët e këtij edicioni të bëjnë hapa të mëdhenj në karrierë.
“Fillimisht falënderoj Federatën e Futbollit, me në krye Presidentin Armand Duka, për mundësinë e dhënë. Doja të falënderoja të gjithë kursantët, sepse me të vërtetë kemi bërë një punë të jashtëzakonshme këtu. Duke pasur parasysh që kemi pasur praktikë dhe teori, kemi mësuar shumë gjëra. Shpresoj që do të na vlejnë edhe për eksperiencën tonë.
Është një eksperiencë e jashtëzakonshme, duke pasur parasysh që në këtë kurs kemi punuar më shumë ne kursantët se mentorët. Kemi pasur eksperienca të ndryshme, të ftuar nga jashtë, nga Anglia, Italia dhe kemi shkëmbyer shumë ide. Shpresoj që të na vlejë shumë”, – tha Armend Dallku.
Ledian Memushaj, ish-futbollisti i Kombëtares kuqezi, u shpreh se ishte një eksperiencë shumë e bukur dhe vlerësoi kursin, pasi gjatë edicionit kursantët kanë marrë leksione nga emra të mëdhenj si Fabio Cannavaro dhe Francesco Troise.
“Kursi UEFA Pro është një eksperiencë e jashtëzakonshme. Ka zgjatur më shumë se një vit dhe ka qenë i kombinuar mes praktikës dhe teorisë. Kemi drejtuar seanca stërvitore dhe kemi vëzhguar ekipet e Superiores. Një eksperiencë shumë e bukur. Kemi marrë leksione edhe nga emra të mëdhenj si Fabio Cannavaro dhe Francesco Troise. Tani diplomën e kemi dhe shpresojmë që të gjejmë një ekip, të fillojmë avash-avash dhe të ecim sa më lart”, tha Ledian Memushaj.