Uldedaj, Broja dhe Mitaj shpallen “Qytetarë Nderi” të Malësisë së Madhe
Malësia e Madhe ka nderuar tre nga bijtë e saj më të spikatur në sport, duke u akorduar titullin “Qytetar Nderi” Jurgen Uldedajt, Armando Brojës dhe Mario Mitajt. Lajmi është bërë publik përmes një postimi në rrjetet sociale nga kryetari i Bashkisë, Tonin Marinaj, i cili vlerësoi kontributin dhe sukseset e tyre në arenën ndërkombëtare.
Jurgen Uldedaj, kampion bote në boks, është cilësuar si një krenari kombëtare, falë arritjeve të jashtëzakonshme që kanë ngritur flamurin shqiptar në skenën më të lartë të këtij sporti. Me disiplinë, punë dhe sakrificë, Uldedaj ka ndërtuar një karrierë që shërben si shembull për brezat e rinj.
Vlerësim i veçantë është dhënë edhe për Armando Brojën dhe Mario Mitajn, dy futbollistë të Kombëtares Shqiptare, të cilët me paraqitjet e tyre kanë treguar talent, profesionalizëm dhe përkushtim maksimal ndaj fanellës kuqezi. Kontributi i tyre në fushë ka forcuar imazhin e futbollit shqiptar dhe ka rritur krenarinë kombëtare.
Sipas Tonin Marinajt, këta tre sportistë kanë ngritur lart emrin e Shqipërisë në nivelet elitare të futbollit dhe boksit, duke u shndërruar në një burim frymëzimi për të rinjtë, veçanërisht për ata të Malësisë së Madhe dhe mbarë vendit.
“Me fat që i kemi”, shkruan Marinaj në mesazhin e tij, duke nënvizuar rëndësinë e figurave që me sukseset e tyre përfaqësojnë denjësisht Shqipërinë në arenën ndërkombëtare.
KOHA JONË SONDAZH

