“Ulërima” e Niko Kovac: Kemi nevojë për blerje të tjera!
“Ende kemi nevojë për përforcime”. Këto janë fjalët e trajnerit të Bayernit të Mynihut, vetëm dy ditë para startit të sezonit të ri në Bundesligë ndaj Hertha Berlin. “Fakti është që kemi nevojë për diçka tjetër”, ka shpjeguar trajneri. Të martën Bayerni zyrtarizoi afrimin e Perisic nga Interi. “Jam i kënaqur që Ivan vjen, por e dimë se edhe mund të dëmtohet, duhet të jemi të gatshëm për këtë eventualitet. Kemi nevojë për futbollistë për të përforcuar dhe përmirësuar ekipin”.
Nëse kampionët e Gjermanisë kanë kompensuar largimin e Mats Hummels me blerjet e Benjamin Pavard dhe Lucas Hernandez, reparti i sulmit mbetet ende i paplotësuar pas largimeve të Franck Ribery, Arjen Robben e James Rodriguez. Perisic i shtohet, Gnabry dhe Coman si anësor, por duhen ende alternativa të tjera.
Gazetat gjermane shkruajnë për një interesim gjithmonë e më të madh për Philippe Coutinho-n, por edhe për Timo Werner, Steven Bergwijn dhe Gareth Bale. Javën e kaluar ai që e ngriti zërin për mungesën e blerjeve ishte sulmuesi Robert Lewandowski, i cili u kërkoi drejtuesve të tjera afrime. /R.Lika-Koha Jone/