Uzuni: Ferencvaros histori e shkuar, tani mendoj vetëm për Kombëtaren!
Myrto Uzuni po kalon një formë fantastike te Ferencvarosi, por ai është i gatshëm që të ndihmojë edhe Kombëtaren në Ligën e Kombeve. Në konferencën për shtyp, ku ishte së bashku me Kumbullën, talenti beratas u shpreh se do e pranojë vendimin nëse trajneri do e ulë sërish në stol.
“Momenti pozitiv në Hungari? Kam shënuar dy gola më shumë vlerë për ekipin tim te Ferencvarosi. Por tani është koha për kombëtaren dhe duhet të mendojmë të bëjmë sa më mirë këtu, së bashku me grupin. Normalisht kur vjen te Kombëtarja është një ndjesi e veçantë, pasi për çdo futbollist është diçka më e mirë për atë, golat më japin motivim dhe shtysë për të vazhduar përpara.
Me trajnerin Reja, më uroi për golat dhe paraqitjet pasi ata shikojnë gjithçka. Forca më vjen nga sakrificat që kam kaluar, pasi vlerësoj çdo ndeshje dhe stërvitje sikur të ishte e fundit për mua.
Skema e Kombëtares? Normalisht është të shënoj sa më shumë gola. Për aktivizimin vendos trajneri, sigurisht nuk ndihem mirë për mosaktivizimin, por unë duhet të bëj punën time. Unë më mirë ndihem me Baren dhe Manajn, pasi njihemi më mirë me njëri-tjetrin, pasi kemi luajtur edhe te Shpresat. Dua të falënderoj të gjithë që mbështesin, pasi falë tyre jam këtu, shpresoj të arrij suksese. Ferencvarosi është një histori e shkuar, tani jam te Kombëtarja dhe dua të bëj më të mirën këtu.”, u shpreh Uzuni.