Vajza e De Biazit: Babai më befasoi me himnin shqiptar

Ajo ishte italiania e vetme që bënte tifo për Shqipërinë, ndërsa tani ne të gjithë shqiptarët duhet të bëjmë tifo për Italinë.

Kiara Sofia De Biazi, e bija e trajnerit të Kombëtares ka përjetuar momente mjaft të bukura kur i ati i saj arriti të fitonte ndeshjen e parë në një Europian.

Në një intervistë për “Panorama Sport”, tregon telefonatën e parë me De Biazin. Ajo shpreson që të shkojë në Francë nëse Shqipëria do të kualifikohet për në raundin tjetër.

Kiara Sofia, e dini që tani duhet të kryqëzojmë gishtat dhe të bëhemi të gjithë me Italinë?

E di që pas kësaj fitoreje Shqipëria duhet të shpresojë që të ketë disa skuadra të tjera që të marrin më pak pikë për t’u kualifikuar më tej.

Ju thatë se do t’i shihni të gjitha ndeshjet e Shqipërisë. Besoj e keni mbajtur premtimin?

Po, i kam parë. Ndeshjen me Francën e pashë në apartamentin tim në Trieste, në qytetin ku studioj, së bashku me disa miq. Me Rumaninë vendosa ta shoh ndeshjen në një vend tjetër dhe më solli fat.

Ishit e emocionuar për fitoren e parë të Shqipërisë dhe të babait tuaj në këtë kompeticion?

Isha shumë e emocionuar dhe nuk munda të ulesha për asnjë minutë. E kam parë të gjithë ndeshjen në këmbë. Ishte një sukses i madh për të gjithë dhe tani duhet të shpresojmë të gjithë që të kualifikohen për më tej.

E prisnit që Shqipëria të fitonte këtë ndeshje?

Të dielën kisha ndjenja të çuditshme dhe shumë pozitive. Besoja se mund të fitonim. Ndoshta kam mësuar edhe nga im atë, i cili ngrihet më i fortë pasi rrëzohet.

I telefonuat babait tuaj menjëherë pas ndeshjes?

E telefonova menjëherë, por ishte duke u futur në sallën e konferencës për shtyp dhe nuk mund t’i thosha shumë gjëra. I thashë vetëm: “U treguat të mëdhenj babi! Ishit të mrekullueshëm, jam shumë e lumtur për ty!”. Pastaj në mëngjes e telefonova sërish.

Çfarë biseduat?

Shumë gjëra. Isha shumë e lumtur për të dhe i tregova si e pashë ndeshjen. I thashë që skuadra e tij ka luajtur në mënyrë fantastike në të gjitha ndeshjet dhe treguan se mund të bëjnë mrekulli. Megjithatë, tani duhet të presim të gjithë në një barazim mes Çekisë dhe Turqisë. Edhe nëse Shqipëria nuk kualifikohet, nuk mendoj se ka problem. Ka bërë një Europian të shkëlqyer.

Yt atë, sigurisht që ndihej krenar…

Ishte shumë i emocionuar. Më tha se është krenar më shumë se kurrë për futbollistët me të cilët punon dhe për atë që kanë bërë. Tani edhe ai kërkon të ketë fat për t’u kualifikuar.

Ky është një sezon provimesh për ju, por a do të shkoni në Francë në rast se Shqipëria kualifikohet?

Sigurisht që dua shumë të shkoj në Francë. Do të më pëlqente shumë. Dua të qëndroj pranë babait tim në këto momente, për të bërë tifo nga afër për Kombëtaren.

Po bëheni edhe ju pak shqiptare. Si ndiheni si e bija e një shqiptari?

(Qesh) Sigurisht që edhe unë po ndihem shqiptare. Kur pashë babanë tim që po këndonte himnin shqiptar, u emocionova. U habita dhe më pëlqeu shumë. Tani jam edhe unë shqiptare.

GENTJAN ALINANI – PANORAMA SPORT

SHKARKO APP