Vata këshillon Dortmundin: Të bëjë sa më parë një ofertë për Kumbullën!

Marash Kumbulla është në listën e dëshirave të shumë skuadrave të mëdha, teksa kohët e fundit pjesë e tyre është bërë edhe Borussia Dortmund. Klubi gjerman kërkon që ta transferoje gjatë verës për të rregulluar problemet në mbrojtje që ka shfaqur këtë sezon, teksa Fatmir Vata ka këshilluar që të veprojnë sa më shpejtë.

Ish-futbollisti i Kombëtares sonë, i cili është aktivizuar në 17 ndeshje, tashmë luan rolin e menaxherit ka rezervuar fjalët më të mira për shkodranin. “Te Dortmundi do të përshtatej më së miri. Kalimi te verdhezinjtë do të ishte hapi i duhur në karrierën e tij. Marash do të kishte shanse më të mira te Dortmundi se sa të United. Duhet të blihet menjëherë, pasi nuk ka kohë për të humbur në këtë rast”, deklaroi Vata në një prononcim të dhënë për “Sport Buzzer”. Nuk do të ishte çudi që ta shihnim në verë që të transferohet në Bundesligë.

Kumbulla vjen nga moshat e klubit të Veronës, duke pasur një shpërthim që në sezonin e parë. Në faqen “transfermarket.de” vlerësohet me 8 milionë euro, por vlera e tij është trefish më e lartë sipas klubi italian, duke u nisur nga kërkesat e shumta.

“Është i madh, i fuqishëm dhe luftarak, mund të luajë në disa pozicione. Është gjithmonë i gatshëm në rastet kur paraqiten raste të rrezikshme në goditet standarde”, deklaroi më tej Vata që e ka ndjekur në disa ndeshje këtë sezon.

Nuk do të jetë aspak një mision i thjeshtë për verdhezinjtë e Bundesligës, pasi Interi, Juventusi, Napoli apo Lazio janë shumë më përpara në bisedime me mbrojtësin shkodran. Nga Anglia Manchester United mund të jetë një zgjedhje prestigji për mbrojtësin, i cili me shumë mundësi do të mbetet në Seria A, duke parë dhe moshën e re të tij. /Rozalb Lika-Koha Jone/

 

SHKARKO APP