Veliaj: Më 25 Maj, finalja e Europa Conference League vjen në “Air Albania”
Në selinë e UEFA-s në Zvicër është hedhur sot shorti i fazës së 1/16-ve i Conference League, duke përcaktuar kështu rrugën që do të ndjekin skuadrat pjesëmarrëse për të arritur në finalen e madhe të këtij kompeticioni që do të zhvillohet në stadiumin “Air Albania” të Tiranës më 25 maj.
I pranishëm në hedhjen e shortit në Nion ishte edhe Ambasadori i finales “Tirana 2022” të Conference League, Lorik Cana, i cili ka ndjekur këtë proces që nga ceremonia hapëse e këtij edicioni të kompeticionit më të ri të UEFA-s për klube. Cana së bashku me zyrtarët e UEFA-s ka tërhequr goglat që kanë përcaktuar edhe çiftet e turit të ardhshëm të kompeticonit, ku marrin pjesë klube të njohura.
Edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka përshëndetur lajmin që e kthen “Air Albania” në arenën më të madhe futbollistike të Europës vitin e ardhshëm.
“Më 25 Maj, finalja e Europa Conference League vjen në Air Albania”, shkruan në mesazhin e tij të shpërndarë në rrjetet sociale kryebashkiaku Veliaj. Finalja e UEFA Europa Conference League në Tiranë më 25 maj 2022, është një event madhështor por edhe një promovim i shkëlqyer i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.