Veliaj pret kampionen e skive që garon për ngjyrat kuqezi: Krenar që Tirana ka Lara Colturin

Vitet e fundit, Klubi shumësportësh “Tirana”, po njeh një hov në cilësinë e sportistëve që garojnë në disiplina të ndryshme, të cilët kanë fituar trofe dhe tituj kombëtarë e ndërkombëtarë, si Luiza Gega, Kampione e Europës në Atletikë, apo mundësi Zelimkhan Abakarov, Kampion i Botës. Mbështetja për sportin nga Bashkia e Tiranës dhe Sport Klub Tirana, ka bërë që skuadrës t’i bashkihet edhe skiatorja e talentuar, Lara Colturi.

Ajo u prit në një takim nga Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili vlerësoi talentin e saj dhe e siguroi për mbështetjen e bashkisë në vijim.

“Lara është skiatorja jonë fantastike. Është shumë e re, vetëm 15 vjeç, por një talent i jashtëzakonshëm. Mezi pres që, jo vetëm si skiatore e klubit tonë të Tiranës, por edhe si dikush që vesh uniformën kuqezi, të na përfaqësojë në kompeticionet e ardhshme. Do të sigurohemi që, i gjithë komuniteti i sipërmarrësve, teksa shohin se kemi një talent me ngjyrat e flamurit tonë, të na mbështesin që tani. Kemi parë se kur mbështesim talentet tona në shumë fusha, qoftë në atletikë, peshëngritje, mundje, apo në ski, kemi parë se ka pasur rezultat. Ne duam të jemi pjesë e suksesit tënd, edhe automatikisht suksesi yt është edhe suksesi ynë”, u shpreh Veliaj.

Nga ana e saj, skiatorja 15-vjeçare, është shprehur e lumtur për zgjedhjen që ajo dhe familja e saj kanë bërë, për të përfaqësuar Shqipërinë dhe Sport Klubin Tirana. Ajo do të jetë edhe pjesë e grupit të punës për marrjen e titullit “Tirana, qyteti Evropian i Sportit 2023”.

SHKARKO APP