“Vëllazërore” me Kosovën dhe një duel i mundshëm me Serbinë, hidhet nesër shorti i Kupës së Botës
Kombëtarja shqiptare e futbollit do të njohë nesër kundërshtarët e kualifikueseve të Kupës së Botës 2026. Shorti do të hidhet në selinë qendrore të FIFA-s në Zyrih nesër në orën 12:00. Shqipëria është pjesë e vazos së tretë. Ekipet do të tërhiqen në 12 grupe me katër dhe pesë skuadra, teksa ato në një vazo nuk mund të luajnë me njëra-tjetrën. Kombëtarja rrezikon në grup një përballje të mundshme me Serbinë, e cila është pjesë e vazos së dytë, atje ku gjendet edhe Maqedonia e Veriut.
Në vazon e katërt, mund të kemi një vëllazërore me Kosovën, ndërkohë që kundërshtar të mundshëm janë dhe Bullgaria dhe Bjellorusia. Kualifikueset europiane për Kupën e Botës 2026 janë planifikuar të fillojnë në mars 2025 dhe të përfundojnë së bashku me fazën “play-off” në mars 2026. Ekipet që janë renditur të parat në grupet e Nations League dhe vendet e dyta dhe të treta që luajnë për t’u ngjitur/zbritur nga ligat e NL do të jenë në grupe me katër ekipe dhe do të jenë pjesë e grupeve A-F.