Vendos Ndikumana, Tirana mund Flamurtarin në Elbasan

Dy javët e para të vitit 2015 dhe Tirana numëron 6 pikë më shumë. Edhe pse ka luajtur në fushë asnjanëse, ndaj Apolonisë dhe Flamurtarit, në mungesë të një stadiumi në kryeqytet, bardheblutë kanë mundur të marrin maksimumin, duke u ngjitur në krye të klasifikimit, në pritje të ndeshjeve të ekipeve të tjera. Ndaj Flamurtarit, në përballjen e parë të javës së 20-të, në kategorinë Superiore, vendosi goli i Ndikumana, vetëm pesë minuta para se të mbyllej ndeshja. Goli i tretë i tij, me  bardheblutë në këtë kampionat, por që rezultoi me vlerën e tre pikëve. Trajneri Gugash Magani, pas ndeshjes nuk mund ta fshihte dot gëzimin, sepse skuadra që ai drejton po ecën drejt objektivit .  – “Ishte një fitore shumë e vështirë, por në fund ishte edhe e bukur,” – theksoi ai. – “Skuadra në pjesën e parë nuk funksionoi por në pjesën e dytë ndryshoi. Ajo që nuk funksionoi në fraksionin e parë ishte agresiviteti, ndërsa në pjesën e dytë ishte dika tjetër dhe besoj se e merituam fitoren.” Nga ana tjetër, homologu i tij italian, priste diçka më shumë nga Flamurtari dhe u shpreh se nga loja, të paktën, ekipi i tij duhet të shmangte humbjen, pasi nuk e meritonte atë. – “Loja ishte e mirë, por rezultati jo. Jam i kënaqur me atë që djemtë bënë në fushë, pasi patëm disa raste për shënim. Nëse do të ishim treguar më të saktë mund të kishim marrë tre pikët. Krahasuar me ndeshjet e vitit 2014, kjo skuadër më duket më punëtore, por dhe më me këmbë në tokë. Doja të përgëzoja gjyqtarin, sepse u tregua shumë i aftë. Në momentin e diskutimit të penalltisë, ai mori një vendim në një fraksion sekonde dhe në të tilla raste mund të akordohet ose jo penalltia, por ai vendosi që jo. Gjithsesi, gjykimi i tij ishte i përsosur,” – theksoi trajneri i Flamurtarit.  Në të 85-ën, goli i Ndikumana, zhbllokon sfidën. Ndikumana mori një top në afërsi të zonës dhe nuk e humbi mes mbrojtësve të Flamurtarit. Sulmuesi goditi fuqishëm dhe topi pavarësisht se u ndal nga Ilion Lika, përfundoi në rrjetë duke i dhënë Tiranës avantazhin. Në minutat e mbetura Flamurtari kërkoi barazimin e rezultatit. Rasti më i mirë ishte ai i minutës së 90-të ku topi i goditur nga Kuqi kalon ngjitur me shtyllën pingule të portierit Frashëri.  Me këtë fitore Tirana ngjitet në kuotën e 41 pikëve po aq sa dhe Kukësi i vendit të parë, por me një ndeshje më pak. Vlonjatët mbeten në kuotën e 25 pikëve, në vendin e 6-të në klasifikim.  Edhe pse ekipi vlonjate bëri disa blerje të rëndësishme gjatë merkatos së dimrit, edhe pse e nisi me një fitore kontestuese ndaj Teutës vitin 2014, nuk mundit dot të shmangë humbje ndaj bardhebluve, në përballjen e dytë të këtij viti.
 
Tirana-Flamurtari 1-0
Shënues: Ndikumana 85’
Tirana: Frashëri, Kërçiku, Curri, Muça, Kalari, Muzaka, Taku, Malaj, Bakaj, Morina, Ndikumana; Trajner: Gugash Magani.
Flamurtari: Lika, Idrizaj, Kuqi, Tomiç, Veliu, Telushi, Lena, Vucaj, Hodza, Nikoliç, Abilaliaj; Trajner: E.Ramela.
Gjyqtarë:   L. Alla
 
 
Kategoria Superiore
Java e 20-të/ Sot
Tirana-Flamurtari          1-0
Nesër 
Kukësi-Elbasani           (14:00)
Skënderbeu-Lacci        (14:00)
Teuta-Vllaznia             (14:00)
Apolonia-Partizani        (17.00)
 
Klasifikimi
Tirana                    41
Kukësi                   41
Skënderbeu           39
Partizani               37
Laçi                     28
Flamurtari             25
Vllaznia                23
Teuta                  16
Elbasani               9
Apolonia              9

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi mirë Rama me ndryshimet në qeveri?