“Vështirë të gjesh më të mirë se ai”, Napoli ndryshon mendim për Hysajn
Napoli ndryshon mendim për Elseid Hysajn. Gazeta “Il Mattino” raporton se skuadra bardhekaltër tashmë do t’i ofrojë rinovimin mbrojtësit shkodran, teksa së shpejti Drejtori Sportiv do të bëjë një propozim konkret.
“Hysaj pret propozimin e ri për rinovimin nga drejtori sportiv Giuntoli: vështirë të gjesh një me vlerat e tij në krahun e djathtë. Më mirë të përpiqesh që të mbash atë, pavarësisht dëshirës për t’u larguar ”, shkruan gazeta nga krahina e Kampanjës.
Disa ditë më parë agjenti i futbollistit, Mario Giuffredi ka qenë shumë i qartë në lidhje me këtë argument: “I kemi komunikuar Napolit, presidenti De Laurenttis, që nuk do të rinovojmë kontratën. Dëshira është që të largohet. Ja kemi komunikuar 15-20 ditë më parë, teksa edhe interesi i Napolit është që kjo çështje të zgjidhet për shkak se i mbaron kontrata sezonin e ardhshëm. Në merkato mund të ndodhin një mijë gjëra, ndaj dhe gjithçka mund të ndryshojë. Ne, ndërkohë ia kemi komunikuar vullnetin tonë De Laurentiis”.
Në këtë mënyrë situata e Hysajt ndërlikohet disi, teksa në ndeshjet e fundit mund të vendoset shumë për të ardhmen e tij. Nëse Gattuso do të bindet dhe do t’i japë hapësira, nuk përjashtohet mundësia që futbollisti shkodran të vijojë që të mbetet në “San Paolo”. /Rozalb Lika-Koha Jone/