Vidal mendon seriozisht largimin nga Barcelona, Interi qëndron në pritje
E ardhmja e Arturo Vidal duket gjithnjë e më larg nga Barcelona. Gazeta pranë klubit katalanas, “Mundo Deportivo” raporton se kiliani po mendon seriozisht largimin. Agjenti i tij, Fernando Felicevich, ishte i pranishëm në “El Clasico” teksa sipas mediave iberike ka pasur takime me drejtuesit e ekipit katalanas për të parë situatën e klientit të tij.
Vidal, është një objektiv i skuadrës së Interit, teksa Conte kërkon të ribashkohet me të sërish pas punës së shkëlqyer te Juventusi. Mosaktivizimi nga minuta e parë ndaj Realit, solli një reagim të ashpër të kilianit, i cili madje braktisi edhe një nga seancat stërvitore para ndeshjes.
Valverde e hodhi në fushë në fillimin e pjesës së dytë duke zënë vendin e Nelson Semedos, por gjithsesi ai nuk është i lumtur me faktin që cilësohet si një futbollist stoli. Vidal kërkon një rol protagonisti edhe pse e di shumë mirë se konkurrenca është e ashpër këtë sezon. /R.Lika-Koha Jone/