VIDEO/ 4 të kuqe në derbin e zjarrtë argjentinas, heroi i Racing i befason të gjithë
Racing Club-Independiente është derbi i dytë më i zjarrtë në Argjentinë pas përballjes së përjetshme mes Boca Juniors dhe River Plate. Dueli i mbrëmjes së kaluar, i njohur si derbi i Avellaneda, dhuroi gjithçka. Plot 4 kartonë të kuq, sherre pafund dhe vetëm një gol.
Vendasit u ndëshkuan me të kuqe në fundin e pjesës së parë dhe në fillimin e së dytës mbeten me 9 lojtarë. Independiente u hodh në sulm, por u ndal nga Javier Garcia, portieri i dytë i Racing. 33-vjeçari u tregua fantastik, ndërsa një tjetër 33-vjeçar u kthye në heroin e Racing.
Marcelo Diaz shënoi golin e fitores për ekipin vendas katër minuta përpara fundit të ndeshjes. Kiliani u tregua gjakftohtë dhe dërgoi tifozët në ekstazë. Goli i tij u përjetua keq nga Independiente, që u ndëshkua me dy kartonë të kuq në minutat e fundit.
Rikthehemi te Marcelo Diaz. Mesfushori mori një banane nga një anëtar i stafit të Racing dhe luajti disa momente në kushte të tilla. Një situatë pothuajse e pabesueshme, ndërsa video e tij është bërë virale në rrjetet sociale. /abcnews.al