VIDEO/ Chelsea “zjarr” me Tuchel, fiton duelin direkt për një vend në Champions

Thomas Tuchel po bën një punë shumë të mirë te Chelsea. 8 fitore dhe 3 barazime për “Blutë e Londrës” prej momentit që në stol u ul trajneri gjerman, teksa ekipi ka pësuar vetëm dy gola në këto 11 ndeshje.

Sot erdhi fitorja ndaj Evertonit të Carlo Ancelottit. Chelsea triumfoi 2-0 në “Stamford Bridge” dhe renditet në vend të katërt me 50 pikë, vetëm katër pikë larg United të vendit të dytë. Sfida u zhbllokua pas gjysmë ore lojë.

I pafat mbrojtësi Ben Godfrey, i cili devijoi topin në portën e tij dhe i dhuroi avantazhin vendasve. Kai Havertz gjeti golin për Chelsea në minutën e 54-t, por VAR-i anuloi festën e sulmuesit gjerman (prekje e topit më dorë).

Gjithsesi, 11 minuta më vonë erdhi edhe goli i qetësisë. Djemtë e Tuchel fituan një penallti dhe Jorginho nuk gaboi nga pika e bardhë, duke gjetur golin e gjashtë sezonal në kampionatin anglez.

Ndeshja nuk prodhoi më gola dhe Chelsea fitoi një duel direkt për një biletë në Champions League. Evertoni thyhet pas tre sukseseve radhazi në Premier dhe renditet në vend të pestë, me katër pikë më shumë se Chelsea. /abcnews.al

SHKARKO APP