VIDEO-LAJM/ Kukësi-Partizani, një duel për titullin dhe qetësinë

Kategoria Superiore rezervon këtë fundjavë një ndeshje emocionuese mes Kukësit dhe Partizanit. Në “Arenën Kombëtare”, do të vendoset shumë edhe për titullin kampion, teksa të dyja skuadrat nuk po kalojnë një moment shumë pozitiv.

Sormani e nisi me një humbje aventurën e dytë te skuadra e Partizanit, ndërkohë që diferenca me verilindorët është 4 pikë. Një humbje e mundshme do t’i komplikonte edhe më shumë pozitat e kampionëve të Shqipërisë. Strategu italian në këtë ndeshje duhet të përballet edhe me problemin e mungesës së disa lojtarëve. Nuk do të ketë Brojën, Telushin, Uillian Cordeiron dhe Boldor, duke qenë i detyruar që të bëjë disa eksperimente në mesfushë.

As Kukësi nuk vjen në këtë duel në momentin më të mirë të mundshëm. Barazimi i fundit ndaj Luftëtarit dhe loja e dobët, nuk janë aspak një sinjal pozitiv. Trajneri Duro u shfaq shumë kritik ndaj lojtarëve, por në këtë ndeshje nuk do të ketë më justifikime.

Lajmi i mirë është që Kukësi do të ketë grupin e plotë të futbollistëve, teksa është rikthyer nga pezullimi edhe Maliqi. Në dy ndeshje këtë sezon, bilanci anon te verilindorët fituan 1-0 më 23 gusht me një gol të Shkurtajt ndërkohë që më 28 tetor dueli mes tyre u mbyllë në barazim pa gola. Të dielën në mbrëmje, të dyja skuadrat do të kërkojnë fitoren për të rigjetur qetësinë e humbur në sfidat e fundit.

SHKARKO APP