VIDEO/ Milan harron Champions, numrat thonë se është për Serie B
Milan duhet të harrojë objektivin që vendosi në fillim të sezonit. Champions League duket e pamundur për kuqezinjtë, që në nëntë javët e para të Serie A ecin me ritmin e skuadrave që luftojnë për mbijetesë. Ndërrimi i trajnerit nuk ka sjellë efek. Pas barazimit me Lecce, Stefano Pioli regjistroi humbjen e parë në pankinën milaniste, duke u dorëzuar 2-1 në transfertën e Romës.
Edin Dzeko kaloi vendasit në epërsi në pjesën e parë. Pas pushimit, Theo Hernandez ktheu Milanin në lojë, por vetëm për pak. Pas katër minutash, Zaniolo shënoi golin e fitores për Romën që afrohet me zonën Champions.
Krejt e ndryshme është situata për Milanin, në vendin e 12-të dhe vetëm tre pikë zonës së ftohtë të renditjes. Nuk ka qenë një fundjavë e mirë për kryesuesit dhe favoritët e kampionatit italian.
Nuk shfrytëzoi mundësinë e artë për t’iu afruar kryesuesëve as Napoli. Të besuarit e Carlo Anchelotti frenuan në transfertën e Spal, duke dalë nga fusha me barazimin 1-1.
Vazhdon me një ritëm spektakolar kampionati i Atalantës, që regjistroi fitoren më të thellë në këtë sezon, duke mundur 7-1 Udinese. Me këtë sukses, skuadra bergamaske forcon pozitat në vendin e tretë dhe i bën presion favoritëve në garën për titull.
Një fitore të rëndësishme, por shumë të polemizuar arriti Lazio. Me Thomas Strakosha në portë, skuadra laciale mundi në transfertë 2-1 Fiorentinën.
/balkanweb