VIDEO/ Nuk ndodhte prej 78 vitesh, Milan luan vetëm për mbijetesë
Për të parë Milanin në krizë si në këtë sezon duhet të kthehesh pas për afro tetë dekada. Më saktë, vetëm 78 vjet më parë skuadra kuqezi kishte jetuar një ecuri të tillë negative, të denjë për garën e mbijetesës. Asnjë ekzagjerim, pasi numrat nuk genjëjnë. Milan u mund në shtëpi 2-1 nga Lazio dhe një gjë e tillë nuk ndodhte prej 30 vitesh, teksa pas 11 javëve numëron vetëm 13 pikë të grumbulluara.
Shumë pak për një ekip që pretendonte rikthimin në Champions, por që tani duhet të shohë poshtë renditje. Në sfidën e fundit në “San Siro” të besuarit e Stefano Pioli treguan edhe një herë të gjitha limitet, duke nisur nga goli i parë i pësuar që mban firmën e Imobile.
Barazimi i shpejtë me autogolin e Bastos ktheu milanistët në lojë, por vetëm përkohësisht, pasi në minutën e 83-të, Correa dha goditjen e KO për të vulosur fitoren e Lazio që ngjitet në vendin e katërt të renditjes me vetëm një pikë më pak se rivalët e përjetshëm të Romës.
Në festë edhe gjysma tjetër e kryeqytetit italian, pasi skuadra verdhekuqe mundi 2-1 Napolin, tashmë në krizë rezultatesh dhe me pankinën e Carlo Ancelotti të tronditur rëndë.
Një kampionat më vete duket se bëjnë dy favoritët për titullin kampion Juventus dhe Inter që kanë vijuar garën në distancë. “Zonja e Vjetër” fitoi 1-0 derbin kundër Torinos me golin e parë të De Ligt në Serie A.
Ndërkohë, me Romelu Lukaku në rolin e liderit dhe autor të dy golave të vonë, Inter kaloi 2-1 tranfertën e Bologna për të ruajtur distancën me vetëm një pikë ndaj kryesuesëve të kampionatit italian.