Video/ UEFA Champions League jep verdiktet, mësohen skuadrat e fazës play-off

Janë mësuar edhe 10 skuadrat e para që sigurojnë fazën play-off të UEFA Champions League, por edhe grupet e UEFA Europa League. Apoel, Rosenborg, Club Brugge, Dinamo Zagreb, Ajax, Lask Linz, Olympiacos, CFR Cluj, Krasnodar dhe Crvena Zvezda kanë edhe një shans për tu përfaqësuar në fazën e grupeve të kompeticionit më të rëndësishëm për klubet europiane.

Apoel Nikosia ka bërë surprizën ndaj Qarabak, teksa me fitoren 2-0 në Baku është kualifikuar për në raundin e fundit drejt grupeve të Champions.

Kujtojmë që në ndeshjen e parë, ishin azerbajxhanasit ato që kishin triumfuar, por fitorja 2-1 nuk i mjaftoi për të kaluar më tej. Në raundin tjetër kaloi edhe Rosenborg, që përsëriti fitoren 3-1 ndaj Maribor. Spektakolare ka rezultuar takimi i Ukrainës, me Dynamo Kiev dhe Club Brugge që barazuan 3-3, me belgët që kaluan më tej.

Në fazën tjetër kaloi edhe Dinamo Zagreb që pas barazimit 1-1 në ndeshjen e parë fitoi me poker golash në transfertën e Ferencvaros. Fati i buzëqeshi edhe Olympiacos, që kaloi me rezultatin e përgjithshëm, 3-0 Basaksehir. Eliminim i bujshëm ai i Basel. Zvicerianët nuk arritën që të riktheheshin në lojë pas humbjes 2-1 në ndeshjen e parë, duke humbur me shifrat 3-1 në 90 minutëshin e dytë.

Kujtojmë që skuadrat që prekin fazën play-off të Champions League në rast eliminimi do të kualifikohen në grupet e UEFA Europa League, ndërsa ata që u eliminuan luajnë në raundin play-off të tij.

/Ora News

 

SHKARKO APP