Villas-Boas jep dorëheqjen nga drejtimi i Marsielles
Andres Villas-Boas i ka paraqitur Marsielles dorëheqjen e tij, pasi ka deklaruar se nuk dëshiron të vijojë më punën në krye të pankinës së ekipit të njohur francez.
Shkak për këtë vendim të teknikut portugez është bërë faktin që drejtuesit e klubit transferuan futbollistin Olivier Ntcham, ndonëse më herët Villas-Boas ishte shprehur hapur kundër afrimit të tij në ekip.
“Kam dorëzuar dorëheqjen time nga pankina e Marseille. Bordi nuk më ka kthyer asnjë përgjigje, por po e them qartë që nuk dua para, dua thjesht të largohem nga Marseille. Unë jam trajneri dhe më takon të them fjalën e fundit për merkaton, por ndonëse u thashë që jam kundër afrimit të Ntcham, të nesërmen, ai u prezantua në klub. Nëse gjërat bëhen kështu, atëherë më mirë të shkoj”, u shpreh portugezi.
Klubi i Marseille nuk po kalon një moment aspak të mirë, pasi disa rezultate negative radhazi në javët e fundit kanë bërë që të dalë jashtë garës për titull dhe për një vend në zonën Champions, ndërsa në fundjavë tifozët protestuan ashpër para qendrës stërvitore.