Vjen konfirmimi nga Argjentina, Messi do të flasë shpejt për të ardhmen e tij

E gjithë bota po flet për Lionel Messin dhe të ardhmen e tij, por në mënyrë paradoksale, në një “lumë” deklaratash, mungojnë fjalët e atij më të rëndësishmit, vetë yllit argjentinas.

Megjithatë sipas mediave në Argjentinë, Messi po përgatitet për të folur gjerë e gjatë dhe për të shpjeguar me detaje gjithë çfarë ka ndodhur gjatë kësaj kohe, që kanë çuar edhe në thyerjen e raportit të tij me Barcelonën, pas 20 vitesh rrugëtimi të suksesshëm së bashku.

6 herë fituesi i Topit të Artë pritet të mbërrijë të hënën në Katalunjë, për t’iu përgjigjur ftesës së Barcelonës për nisjen e përgatitjeve, por njëkohësisht edhe për të bërë hapat formalë drejt divorcit me klubin “blaugrana”.

Ndërkohë ditën e djeshme Josep Bartomeu mësohet se ka shprehur gatishmërinë për të dhënë dorëheqjen, por me kushtin që Messi të pranojë publikisht se e ka problemin me presidentin dhe të vijojë qëndrimin te Barça.  Kjo ofertë është hedhur poshtë nga Lionel Messi dhe babai i tij Jorge Messi, ndërsa që të dy janë me pushime dhe do të vihen në lëvizje vetëm ditën e hënë.

SHKARKO APP