Vlahovic dëmtohet sërish te Juventusi, probleme edhe për Perin
Problemet fizike vazhdojnë për sulmuesin e Juventus, Dušan Vlahović. Klubi bardhezi ka konfirmuar se lojtari serb ka pësuar një dëmtim të lehtë në muskulin soleus, pas shqetësimit në pulpën e majtë gjatë nxehjes në ndeshjen kundër Genoa.
Sipas komunikatës zyrtare, analizat e kryera në qendrën mjekësore të klubit kanë evidentuar një dëmtim me shkallë të ulët, që pritet ta mbajë jashtë fushave për rreth 20 ditë. Kjo do të thotë se Vlahovic pritet të humbasë sfidat ndaj Atalantës dhe Bolognës, ndërsa mbetet në dyshim edhe për përballjen ndaj Milan më 26 prill. Rikthimi i tij shihet më i mundshëm në fillim të majit, në ndeshjen kundër Verona.
Nga ana tjetër, lajme më pozitive vijnë për portierin Mattia Perin. Ai u zëvendësua në pushimin e ndeshjes për shkak të një shqetësimi në pulpën e djathtë, por ekzaminimet nuk kanë zbuluar asnjë dëmtim. Gjendja e tij do të monitorohet ditë pas dite dhe ai mund të rikthehet që në fundjavë.
Në rast se Perin nuk arrin të jetë gati, alternativa mbetet Michele Di Gregorio, i cili ka dhënë sinjale pozitive, përfshirë edhe një penallti të pritur ndaj Genoas. Ndërkohë, në raportin mjekësor përfshihet edhe Vasilije Adžić, i cili po vijon rehabilitimin pas dëmtimit në kyçin e këmbës së djathtë, të pësuar me përfaqësuesen U-21 të Malit të Zi.
KOHA JONË SONDAZH

