Vlahovic dhe Milik, Juventus rigjen fitoren në Seria A ndaj Spezias (VIDEO)

Juventus rikthehet në rrugën e fitoreve në Seria A, duke marrë një sukses të pastër 2-0 në shtëpi ndaj Spezias. Skuadra e Allegrit pas dy barazimeve rigjeti ritmin e duhur në “Allianz Stadium”.

Dusan Vlahovic mund të cilësohet si specialist tashmë në goditjet e dënimit. Sulmuesi serb pasi i shënoi Romës dhe mbrëmjen e sotme ka realizuar një gol akoma më të bukur ndaj Spezias.  Në minutën e 9-të, Vlahovic ekzekutoi në mënyrë perfekte një goditje dënimi nga një distancë prej 30 metrash.

Më pas skuadra torineze humbi ritmin me kalimin e minutave, teksa sërish ka probleme të shumta në mesfushë, me Mirettin, i cili është i vetmi që arrin të shpikë diçka me veprimet e tij. Talenti u bë protagonist në fundin e ndeshjes duke dhënë asistin për golin e dytë që do të vinte në kohën shtesë nga Milik. Juventus ngjitet në kuotën e 8 pikëve me këtë fitore. Napoli nuk shkoi më shumë se një barazim 1-1 ndaj Lecces. /R.Lika-Koha Jonë/

SHKARKO APP