Vlahovic do të operohet sot në Londër, rikthimi në mars
Sulmuesi i Juventusit, Dusan Vlahoviç, do t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale këtë pasdite në Mayo Clinic në Londër, pas dëmtimit të rëndë që pësoi në sfidën e kampionatit kundër Cagliarit fundjavën e kaluar. Kontrollimet mjekësore zbuluan një dëmtim të shkallës së lartë në muskujt aduktor të kofshës së majtë.
Pas konsultimeve me stafin mjekësor të klubit, është braktisur opsioni i terapisë konservative dhe është vendosur që lojtari t’i nënshtrohet operacionit, si zgjidhja më e mirë për të shmangur komplikime të mëtejshme.
Për momentin është ende herët për të përcaktuar saktësisht kohën e rikuperimit. Gjithçka do të varet nga ecuria e operacionit dhe procesi i rehabilitimit, por burimet pranë klubit flasin për një mungesë minimale prej tre muajsh. Kjo nënkupton se rikthimi i mundshëm i serbit nuk pritet para mesit të marsit.
Në Instagram, sulmuesi bardhezi ka dërguar një mesazh të shkurtër por optimist për tifozët: “Do të shihemi së shpejti.” Një dëshirë që ndahet nga gjithë ambienti juventin, i cili shpreson ta shohë sa më shpejt në fushë golashënuesin e skuadrës.
KOHA JONË SONDAZH

