Vllaznia fiton ndaj Apolonisë, Teuta ndalet ndaj Skënderbeut (VIDEO)
Teuta e ka nisur sezonin me një barazim 1-1 ndaj Skënderbeut. Në “Niko Dovana” ekipi i Martinit zhvilloi një lojë të mirë, por hasi në rezistencën e korçareve që shfaqën shumë dëshirë dhe luftuan në fushë. Rubin Hebaj kaloi në avantazh durrsakët në minutën e 10-të me një goditje me kokë.
Skënderbeu reagoi duke gjetur golin e barazimit në minutën e 34-t, teksa kapiteni Meksi dërgoi topin në rrjetë pas një përplasje të portierit Frashëri dhe Vilës. Në fraksionin e dytë, Mario Dajsinani bëri një pritje shpëtimtare ndaj Emiljano Vilës.
Vllaznia e nisi me këmbën e mbarë, duke triumfuar 2-0 ndaj Apolonisë. Eni Imami zhbllokoi ndeshjen në minutën e 54-t, ndërkohë që në të 82-tën, Dunga vulosi rezultatin duke i dhënë 3 pikët e para shkodranëve.