Vllaznia mund pastër Skënderbeun dhe merr kreun e Superligës
Vllaznia është skuadra e momentit në Kategorinë Superiore. Pas fitores bindëse në javën e parë ndaj Apolonisë, kuqeblutë ia ka dalë të marrë një tjetër 3-pikësh, këtë herë në Korçë përballë Skënderbeut në shifrat 2-0. Kuqeblutë e drejtuar nga gjermani Thomas Brdaric luajtën një ndeshje shumë të mirë në Korçë edhe pse në fakt do të vuanin disi në minutat e para nga presioni i vendasve.
Shkëndijat e para i dhanë pikërisht djemtë e drejtuar nga Julian Ahmataj, që gjithsesi nuk kishin eksperiencën e duhur për t’u shfaqur kërcënues në portën shkodrane, ndërsa goli i parë i Vllaznisë erdhi në minutën e 33-të. Pas një aksioni të gjatë, sulmuesi Haris Dilaver shfrytëzon hapësirat dhe arrin të mposhtë portierin Dajsinani. Tre minuta para fundit të pjesës së parë, shkodranët kombinuan bukur në gjysmëfushën mike dhe fantazisti brazilian Da Silva u nis u vetëm me portierin Dajsinani, të cilin e dribloi bukur dhe shënoi edhe golin e dytë për Vllazninë.
Reagimi i Skënderbeut ishte i vakët, me disa tentativa që nuk sollën asnjëherë kërcënim serioz për portierin shkodran Zogovic, ndërsa nga ana tjetër kuqeblutë krijuan edhe raste të tjera shënimi, por shpërdoruan dhe rezultati mbeti i pandryshuar. Pas dy javëve të para, Vllaznia është e vetmja skuadër që ka grumbulluar deri më tani pikë të plota, 6. Kuqblutë në fakt kanë edhe një golaverazh fantastik, pasi në dy ndeshjet e para kanë shënuar 4 gola dhe nuk kanë pësuar ende asnjë. Përgatitjet gjatë bojkotit të kampionatit duket se i kanë shërbyer trajnerit Brdaric që të ndërtojë një skuadër solide dhe shumë cinike. Prova e radhës do të jetë ndaj Kastriotit në Shkodër, një ndeshje që në letër duket se do të jetë e thjeshtë për shkodranët për formën që po kalojnë.