Vllaznia shokon Partizanin, Teuta përfiton dhe “prek” titullin kampion (VIDEO)
Kategoria Superiore do të vendoset në 90 minutat e fundit të këtij sezoni, por me shanset më të mëdha që të triumfojë Teuta. Skuadra durrsake ka marrë kryesimin pas javës së parafundit, duke përfituar nga dhurata e Vllaznisë, që mori një fitore minimale 1-0 në “Air Albania” kundër Partizanit.
Ishte një sfidë e bukur, që dhuroi shumë emocione, por që nisi me 20 minuta vonesë për shkak të mungesës së ambulancës në fillimin e sfidës. Episodi më vendimtar ndodhi në minutën e 73-të. Pas një prekje të topit me dorë gjyqtari akordoi 11-metërsh, i këshilluar edhe nga arbitri pas porte. Nga pika e bardhë shkon Herald Marku, i cili arrin që ta dërgojë topin në rrjetë, duke i dhënë avantazhin momental kuqebluve. Rezultati nuk ndryshoi deri në fundin e sfidës.
Në krahun tjetër përfiton Teuta, që merr kryesimin edhe pse nuk shkoi më shumë se një barazim pa gola kundër Laçit. Tashmë skuadra e Martinit gjendet e para me 63 pikë, po aq sa Vllaznia por me avantazhin e sfidave direkte. Në javën e fundit durrsakët do të sfidojnë Apoloninë, tashmë të rënë nga kategoria. /Koha Jone/