Vllaznia triumfon me përmbysje ndaj Vikingur, hedh një hap drejt kualifikimit
Vllaznia ka marrë një fitore të rëndësishme në ndeshjen e parë të turit të dytë të UEFA Conference League, duke mposhtur 2-1 skuadrën islandeze Vikingur Reykjavik në stadiumin “Loro Boriçi”.
Sfida nisi me një tronditje për kuqeblutë, teksa islandezët kaluan në avantazh që në minutën e 10-të me anë të Gunnarsson, i cili realizoi me kokë pas një harkimi të saktë në zonë. Goli i hershëm i zgjoi vendasit, që tentuan të reagojnë në pjesën e parë, duke krijuar disa raste, por pa gjetur rrjetën.
Në pjesën e dytë, skuadra e drejtuar nga Edi Martini u rikthye më e vendosur dhe gjeti barazimin në minutën e 67-të me Bajramin, i cili përfitoi nga një mbulim i dobët i mbrojtjes kundërshtare. Kur kishin mbetur vetëm 15 minuta nga fundi, ishte Mala që kompletoi përmbysjen për Vllazninë me një gol të bukur që ndezi atmosferën në “Loro Boriçi”.
Me këtë fitore 2-1, shkodranët marrin një avantazh të lehtë përpara ndeshjes së kthimit që do të luhet në Islandë pas 1 jave.
KOHA JONË SONDAZH

